Botë
Venezuelë, ShBA në përpjekje për të dërguar ndihma
25.02.2019 12:26
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, thotë se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë rrugët për të futur ndihmat humanitare në Venezuelë...

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, thotë se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë rrugët për të futur ndihmat humanitare në Venezuelë, pasi trupat besnikë ndaj presidentit, Nicolas Maduro, zmbrapsën kamionët me ndihma në kufijtë me Brazilin dhe Kolumbinë.
Kryediplomati amerikan, nuk dha detaje konkrete se si Shtetet e Bashkuara mund ta zbatonin misionin përballë kundërshtimit me armë. Megjithatë, ai tha se Shtetet e Bashkuara do të konsideronin mundësinë e sanksioneve shtesë kundër qeverisë së Venezuelës, për të rritur presionin ndaj Maduros, që të japë dorëheqjen, në favor të presidentit kalimtar të vendit, Juan Guaidos, që është njohur nga Shtetet e Bashkuara.
Pompeo e quajti Maduron një tiran, duke thënë se kishte besim që populli i Venezuelës do të sigurojë që ditët e tij në pushtet të jenë të numëruara. Sot nënpresidenti amerikan, Mike Pence, do të takohet me Guaidon dhe udhëheqës të tjerë rajonalë në kryeqytetin kolumbian, Bogota, për të diskutuar strategjinë kundër Maduros dhe se si të hyjnë ndihmat në Venezuelë. Të paktën katër civilë u vranë dje kur forcat venezueliane të sigurisë u përplasën me demonstruesit në kufirin me Brazilin, të cilët kërkonin lejimin e hyrjes në vend të ndihmave humanitare.
