Maqedoni

Fëmijët me shikim të dëmtuar, autoritetet me masa për mundësi të barabarta

25.02.2019 17:32

Zbulimi i hershëm i anomalive tek fëmijët, rrit shanset për edukim të mëtutjeshëm specifik që do t’u mundësojë atyre një jetë më të lehtë në të ardhmen...

Për t’i zbuluar që në fazën e hershme këto anomali, janë marrë disa masa, një prej të cilave është edhe skriningu i syve tek rreth 30 mijë fëmijë.
 
Por, përveç zbulimit të anomalive në shikim përmes skriningut, fëmijët me pengesa në të pamurit, si dhe personat e tjerë me nevoja të veçanta, kanë nevojë për mbështetje shtesë gjatë gjithë jetës së tyre, filluar me mbështetjen financiare dhe me përfshirjen e tyre pa pengesa në sistemin arsimor dhe më tej. 
 
“Në përkrahje të këtyre familjeve ne u japim mundësi që njëri nga prindërit të ketë orar të shkurtuar të punës. Deri më tani, shuma ishte mjaft e vogël dhe e kemi rritur deri në 50 për qind të pagës mesatare. Përveç kësaj, çdo prind  që do të vendosë të kujdeset për fëmijën e tij me nevoja të veçanta deri në moshën  26 vjeçare dhe nuk do ta vendosë në asnjë institucion, do të ketë të drejtë për një pension prej tetë mijë denarëve, pa pasur asnjë ditë përvojë pune, nga mosha 62 deri në 64 vjet”,- tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska.
 
MASh ka trajnuar momentalisht më shumë se 200 mësues edukatorë për të punuar me fëmijët me shikim të dëmtuar.
 
“Institucionet, në mesin e të cilave Ministria e Arsimit, do të ndërmarrin një pjesë të kompetencave, do t’i intensifikojnë aktivitetet dhe një pjesë të tyre  do të mundohemi ta inkorporojmë në vendimet ligjore”,- tha ministri i arsimit, Arbër Ademi.
 
Ndihmë të patjetërsueshme në këtë drejtim kanë dhënë edhe partnerët ndërkombëtarë.
 
“Pesë vjet më parë, USAID dhe Fondacioni “Llajons Club” bashkuan forcat për të ndihmuar institucionet dhe komunitetet lokale të zbulojnë dhe pengojnë anomalitë e syve tek fëmijët dhe të rrisin shanset e edukimit për njerëzit me shikim të dëmtuar”,- u shpreh ambasadori i ShBA-ve, Xhejs Bejli.
 
Në Ministrinë e Shëndetësisë po punohet për formimin e programeve të reja.
 
Deri në fund të këtij viti do të jetë aktiv programi për detektimin e skriningut të hershëm të shikimit tek fëmijët.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI