Maqedoni

Imuniteti i Veljanovskit, Mitrevski: Xhaferi të sqarojë pse e ndërpreu seancën. Sela: pazare midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Xhaferi: kam respektuar rregulloren

25.02.2019 18:00

Kanë vluar reagimet pasi që Kuvendi nuk arriti t’ia marrë imunitetin deputetit, Trajko Veljanovskit...

LSDM i ka kërkuar kreut të kuvendit, Talat Xhaferit, që t’i sqarojë opinionit për ndërprerjen e seancës së mbrëmshme, teksa Ziadin Sela nga ASh ka hedhur dyshimin se në gjithë këtë situatë ka pazare mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.
 
“Deputetët ishin të gatshëm që të mundësojnë që drejtësia për “27 prillin” të shkojë deri në fund, por kryetari i Kuvendit, Talat Xhafari, e ndaloi seancën dhe nuk lejoi që të ketë votim për marrjen e imunitetit të Trajko Veljanovskit. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, e ka për obligim që t’i përgjigjet opinionit dhe qytetarëve se pse e ka ndaluar seancën. Për Veljanovskin patjetër duhet që të vlejnë të njëjtat procedura dhe rregulla si për të gjithë deputetët tjerë dhe si për çdo qytetar të vendit”,- deklaroi koordinatori i LSDM-së, Jovan Mitrevski.
 
“Talat Xhaferi luajti rolin e gjoja pamundësisë për ta udhëhequr seancën. I njëjti i cili u zgjodh në zhurmë dhe brohoritje dhe pa mikrofon përpara dhe nuk i penguan 50, 60 zëra më 27 prill, mbrëmë i pengoi vetëm një zë, kushtimisht thënë, që ai të mos e hedh në votim. Rregullorja është e qartë për çdo vendim që është i afatizuar deri në çerek para gjysmë natës patjetër duhet të hidhet në votim, nuk jepet as procedurale, fjalë dhe gjithë fjalimet ndërpriten dhe aq më pak të drejtën për të kërkuar dikush pauzë”,- tha kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
 
Por, kreu i Kuvendit, Talat Xhaferit, thotë se ka mbrojtur Parlamentin si institucion, konform përcaktimeve kushtetuese.
 
“Talat Xhaferi nuk është zgjedhur me sakrificën e askujt. Talat Xhaferi është zgjedhur kryetar parlamenti me vullnetin e shumicës, me procedurat e parapara, i përgjigjet popullit dhe jo shumicës e as deputetëve që nuk e kanë kryer punën e tyre. Puna e Kuvendit është e përshkruar me Rregullore dhe Kushtetutë. Talat Xhaferi ka vepruar konform rregullores. E ka gabim dikush nëse mendon se dikush ka ndikuar tek unë.  Talat Xhaferi nuk e ka shpëtuar Trajko Veljanovskin dhe as ka për qëllim të shpëtojë dikë që ka problem me ligjin. Të qenit deputet nuk nënkupton ikje nga drejtësia. Me asnjë procedurë në Kuvend nuk është penguar procedura gjyqësore për t’u çuar deri në fund”,- tha kryetari i kuvendit, Talat Xhaferi.
 
 Kuvendi të dielën në mbrëmje nuk arriti të marrë vendim për heqjen e imunitetit të ish kryetarit te parlamentit, Trajko Veljanovskit.
 
Vetëm disa minuta para orës 24, koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, insistoi në pauzë, më pas Xhaferi vendosi që ta ndërpresë seancën dhe deklaroi se do ta caktojë në mënyrë plotësuese, por pa saktësuar ditën. 
 
NAIM RAMADANI