Botë

Kriza politike në Shqipëri, BE: u dëmtua demokracia, presim dialog

25.02.2019 19:40

Komisioni Europian e ka cilësuar vendimin e opozitës për të djegur mandatet, si veprim joproduktiv...

Komisioni  Europian e ka cilësuar vendimin e opozitës për të djegur mandatet, si veprim joproduktiv, që dëmton rëndë funksionimin e demokracisë në Shqipëri.
 
Zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç, në konferencën për shtyp të mesditës, tha se vendi ku bëhen diskutimet e mëdha është Parlamenti.
 
“Vendimi i opozitës, në këndvështrimin tonë, dëmton rëndë funksionimin e demokracisë në Shqipëri, pasi Parlamenti është vendi ku zhvillimet e rëndësishme dhe reformat duhen diskutuar dhe avancuar, jo bojkotuar. Vendimi i opozitës shihet si joproduktiv, bie ndesh me zgjedhjen demokratike të qytetarëve shqiptarë, si dhe dëmton edhe përparimet e bëra deri më tani në rrugën europiane”,- tha zëdhënësja e KE-së, Maja Koçijançiç.
 
Komisioni, sipas Koçijançiç, pret që deputetët shqiptarë të mbrojnë idetë dhe parimet e demokracisë në Parlament, e të evitojnë aktet e dhunës dhe deklaratat nxitëse.
 
Në lidhje me Reformën në Drejtësi, edhe njëherë Koçijançiç ka theksuar se është më e rëndësishme cilësia e procesit, sesa shpejtësia e tij.
 
LULJETA NDOKA