Prokuroria Publike, lënda kundër Veljanovskit vazhdon
Edhe pse ish kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, vazhdon të gëzojë imunitetin e deputetit...

Edhe pse ish kryeparlamentari, Trajko Veljanovski, vazhdon të gëzojë imunitetin e deputetit, nga Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion thonë se lënda për të do të vazhdojë të procesuohet.
Nga Prokuroria Publike për TVM2 informuan se nga ana e prokurorisë janë ndërmarrë të gjitha masat për sigurimin e të dyshuarit për mosarratisjen dhe ndikimin e tij eventual tek dëshmitarët. "Në rast se vjen deri te arratisja e të dyshuarit, atëherë përgjegjësia qëndron mbi Kuvendin, ne kemi ndërmarrë të gjitha obligimet ligjore sa i përket kompetencave tona mbi rastin",- thonë nga Prokuroria Publike. Duke pasur parasysh se në praktikën e deritanishme nuk është paraparë që për vepër të njëjtë penale, gjykata sërish t’i parashtrojë kërkesë Kuvendit për heqjen e imunitetit, nga Prokuroria nuk njoftojnë nëse do të pësojnë ndryshime sa i përket veprës penale për të cilën ndiqet i dyshuari.
"Për momentin nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim. Vepra për të cilën ngarkohet i dyshuari mbetet e njëjtë, për çdo ndryshim, në kohë do të informojmë opinionin",- thonë nga Prokuroria Publike.
Deputeti i VMRO-së, Trajko Veljanovski, po hetohet për veprën penale "rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë", si një nga organizatorët e ngjarjeve të “27 prillit”, por meqë ai gëzon imunitetin e deputetit, nuk do të përfundojë në paraburgim, ashtu siç kishte kërkuar prokuroria.
Të dyshuar së bashku me Veljanovskin për këtë rast janë edhe Mile Janakieski, i cili ndodhet në burg shtëpiak dhe Spiro Ristovski i cili ndodhet në paraburgim, si dhe ish kryeministri, Nikolla Gruevski, dhe ish zyrtari i DSK-së, Nikolla Boshkovski, të cilët kanë fituar statusin e azilantit në Hungari dhe Greqi.(Florije Beluli Kamberi, TVM2)
