Agjencia për zbatimin e gjuhëve, Sela: Shërbim profesional institucioneve

26.02.2019 16:43

Qeveria në mbledhjen e mbrëmshme ka emëruar profesorin universitar, Ylber Selën....

Qeveria në mbledhjen e mbrëmshme ka emëruar profesorin universitar, Ylber Selën, për drejtor të Agjencisë për zbatimin e gjuhëve.

Drejtori i sapoemëruar detyrën e re e sheh si një sfidë dhe mision të rëndësishëm, por me ndihmën dhe shërbimin profesional që do t’u ofrojnë institucioneve do të arrijnë të zbatojnë Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

“Esenca e Agjencisë është që ne të arrijmë që të bëjmë standardizimin  dhe zbatimin e barabartë të gjuhës shqipe. Kompetenca më e rëndësishme është që ne t’u japim ndihmë, mbështetje institucioneve për të realizuar të gjitha obligimet të cilat dalin nga Ligji për përdorimin e gjuhëve. Do të bëjmë lektorimin e të gjitha akteve që dalin në Gazetën Zyrtare të RM-së, po ashtu do të japim mendime profesionale, të bëjmë qasje analitiko-profesionale dhe çështje të tjera të përcaktuara me ligj”,- deklaroi drejtori i Agjencisë për zbatimin e gjuhëve, Ylber Sela.

Sela thotë se do të përqendrohet në afate kohore për të zbatuar dispozitat e ligjit, për çka edhe do të nevojitet edhe vullnet politik.

“Nevojitet një vullnet politik. Afatet janë shumë të rëndësishme që të zbatohen të gjitha, siç janë të parashikuara me ligj. Unë si udhëheqës i këtij institucioni do të vendos afate kohore, sepse situata është që kërkon që sa më shpejt të vendoset në zbatim sepse shumë institucione këtu në Maqedoni do të kenë nevojë për mbështetjen, për përkrahjen nga ana jonë, qoftë me përkthime, lektorime apo ndihmë profesionale dhe besoj që të arrihet qëllimi adekuat, besoj që afatet duhet të jenë më të shkurta”,- tha drejtori i Agjencisë për zbatimin e gjuhëve, Ylber Sela.

Agjencia do të ekipohet me filologë dhe linguistë të diplomuar të gjuhës shqipe si dhe lektorë të licencuar si dhe përkthyes të autorizuar gjyqësorë, sqaron Sela. (Naim Ramadani, TVM2)