Maqedoni
“Target-Fortesa”, dëshmoi Zvonko Kostovski. “TNT”, mbrojtja e Janakieskit dorëzoi ekspertizë të dokumentacionit
26.02.2019 17:05
Në Gjykatën Penale në Shkup dëshmitari, Zvonko Kostovski, paraqiti dëshminë e tij për rastin “Target-Fortesa”...

Në Gjykatën Penale në Shkup dëshmitari, Zvonko Kostovski, paraqiti dëshminë e tij për rastin “Target-Fortesa”, me ç’rast theksoi se në vitin 2011, me kërkesë të Goran Gruevskit, janë krijuar 4 faqe përmes sistemit “Najs” për shikueshmëri dhe grupim më të mirë të objektivave.
“Në vitin 2011, Goran Grujevski kërkoi krijimin e katër sajteve në sistemin “Najs” për shikueshmëri dhe grupim më të mirë të objektivave. Sajti i parë u quajt “Urdhëresat e gjykimeve”, i dyti u quajt “Miniera” dhe përmbante objektivat operacionale të DSK-së, në të tretin i quajtur “Pollogu”, ishin objektivat operacionale të BSP-së dhe në të katërtin ishin numrat e telefonit të politikanëve, biznesmenëve, gazetarëve dhe OJQ-ve”,- tha Kostovski.
Sipas tij, objektivat operacionale të DSK-së dhe BSP-së nuk janë ndjekur me urdhër të gjykatës, por me kërkesë të DSK-së, që janë shënuar në një libër të veçantë.
“Në qoftë se kishte nevojë, kërkohej leje gjyqësore”,- shtoi Kostovski.
Ai tha se ka pasur qasje në tre sajtet e para, por në të katërtin, sipas tij, ka pasur qasje vetëm Goran Grujevski dhe Sasho Mijallkovi, si dhe një shënjestrues.
“Objektivi, bashkëbiseduesi, vendndodhja dhe elemente të tjera të sistemit u kërkua të kalohen në dosje tjetër si prova për urdhër nga Gjykata për të arrestuar, Sonia Verushevskën, atë e kërkoi Goran Gruevski”,- tha Kostovski.
Po ashtu ka vazhduar edhe procesi gjyqësor për rastin “TNT”, ku të akuzuar janë ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish ministri i transportit, Mile Janakieski, dhe ish kryetari i komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski.
Sipas aktakuzës, në vitin 2011 ata kanë kryer akt kriminal të urrejtjes politike, duke prishur kompleksin “Kozmos” të biznesmenit, Fijat Canoskit.
Mbrojtja e ish-ministrit të transportit dhe lidhjeve, Mile Janakieski, në seancën e sotme dorëzoi ekspertizë të dokumentacionit për këtë lëndë, si dhe vendimet gjyqësore të cilat i paraqiti në formë të dëshmive.
Si dëshmitar për seancën e radhës është paraparë të dëgjohet dhe Roska Paceska si këshilltar teknik në fushën e gjeodezisë, e cila ka përgatitur mendim me vërejtje për të gjithë dokumentacionin e rastit.
Në procedurën e provave, do të thirret dhe arkitekti, Miroslav Grçev. Gjykatësi, Ognen Stavrev, tha se pas tri seancave pritet që mbrojtja dhe prokuroria të fillojnë përgatitjen e fjalës përfundimtare, duke potencuar se beson që në afat të shkurtër kohor do të ketë vendim përfundimtar për këtë rast.
GAZMEND REXHEPI
