Maqedoni
Konferencë ministrore e Procesit të Bërdos, diskutohet për sigurinë në rajon dhe Ballkan
26.02.2019 17:37
Siguria në rajon dhe në Ballkanin Perëndimor, ishte tema që dominoi Konferencën ministrore, e cila u zhvillua në kuadër të Procesit të Bërdos në Shkup...

Ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, në cilësinë e nikoqirit, tha se mekanizmi i menaxhimit të integruar me sigurinë e brendshme e siguron zinxhirin e nevojshëm mes nismave të ndryshme rajonale, duke mundësuar qëndrueshmëri dhe vendosjen e të gjitha administratave nacionale të vendeve shfrytëzuese.
“Me raportin përfundimtar të Këshillit Europian për përforcim të sigurisë së brendshme nga muaji dhjetor i vitit 2016, Këshilli i BE-së u pajtua që të japë prioritet të një mekanizmi gjithëpërfshirës për zbatim të disa urdhrave nga sfera e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilat do të ecin bashkërisht me proceset e integrimit nga sfera politike e vendit tonë. Falë angazhimit tonë si Ministri për Punë të Brendshme nga vendet e Ballkanit Perëndimor, lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit ka shënuar progres të theksuar dhe kësaj shtylle më pas iu bashkëngjitën edhe dy shtylla të tjera e që ishin: lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta për sigurinë e kufijve”,- tha Oliver Spasovski nga MPB e RMV-së.
Këshilli drejtues i kësaj nisme me sukses është duke i realizuar dhe zbatuar urdhrat dhe reformat e sigurisë së brendshme të cilat po i kërkon BE-ja, vlerësoi ministri slloven i punëve të brendshme, Boshtjan Pokllukar.
“Procesi i Bërdos me angazhimin e saj po tregon se është duke u rritur në një partner strategjik të BE-së në sferën e sigurisë. E rëndësishme është se sot ne do të promovojmë detyrat e reja projektuese të IISG-së në pjesën e funksionimit të të ashtuquajturit Grupi për mbështetje të IISG si trup koordinativ për implementimin e nismës, respektivisht përfshirjen e përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në punën e këtij grupi”,- tha Boshtjan Pokllukar nga MPB e Sllovenisë.
Ministri Spasovski u ndal edhe tek tekstet e publikuara në rrjetet sociale nga anëtarët e “Grupit të Kumanovës”, ku theksoi se MPB është duke punuar me sektorin për krime kompjuterike, dhe pasi të dilet me një version final, do t’i publikojnë masat të cilat do të ndërmerren.
Në këtë konferencë ministrore morën pjesë ministrat e punëve të brendshme nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Kroacia dhe Sllovenia.
FITIM KRYEZIU
