Ahmeti: Nuk kemi përplasje me LSDM-në, vetëm dallime; Deklaratat për qeveri pa BDI-në, të papërgjegjshme
Nuk ka përplasje mes partnerëve të koalicionit, vetëm dallime në qëndrime....

Nuk ka përplasje mes partnerëve të koalicionit, vetëm dallime në qëndrime. Ky është qëndrimi i liderit të BDI-së, Ai Ahmetit, pas tendosjes në dukje të marrëdhënieve mes LSDM-së dhe integristëve, si pasojë e dështimit të seancës për heqjen e imunitetit të deputetit të VMRO-së, Trajko Veljanovskit.
Në deklaratën pas takimit me ministrin e jashtëm shqiptar, Genc Cakaj, Ahmeti tha se BDI mban të njëjtin qëndrim konstant, pa ndryshuar politikbërjen e saj për interesa ditore. Përkujtoi se qeveri pa BDI-në nuk mund të ketë.
“Ju siguroj se nuk ka përplasje mes partnerëve të koalicionit. Mund të ketë dallime në pika që nuk e cenojnë integritetin dhe moralin e asnjërës palë, si BDI-së as edhe LSDM-së. Tanimë vendi ka nevojë për më shumë qetësi, komunikim dhe bashkëpunim, si atyre në pozitë dhe opozitë. Nuk mund të përjashtohet. Ne jemi të hapur në komunikim me partnerin e koalicionit. Nuk ndërtojmë politika të dyfishta, njëra për natën dhe tjetra ditën. Nuk shërbehemi as me shpifje e as me lajme të rrejshme. Nëse Qeveria mbahet pa BDI-në, atëherë bëhet shumë gabim. Kjo mund të jetë një deklaratë e një funksionari të LSDM-së, i cili nuk ka përgjegjësinë e një misioni të rëndësishëm për vendin. Unë kam përgjegjësi dhe nuk shërbehem në këtë situatë me emocione, sepse jemi në shërbim të një politike racionale që është në interes të të gjithë qytetarëve. Nuk dua të matem se kjo Qeveria a qëndron pa BDI apo jo”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
