Maqedoni
Imuniteti i Veljanovskit, Andov: votimi të përfundonte brenda tri ditëve. Andov: Xhaferi nuk mund të thërrasë seancë
26.02.2019 18:04
Kuvendi për imunitetin e Veljanovskit do të duhej të vendoste brenda tre ditësh,thotë ish kryeparlamentari, Stojan Andov...

Duke sqaruar Rregulloren e punës së Kuvendit, Andov thotë se Komisioni në kohë do të duhej të dorëzonte raportin, ndërkaq kryeparlamentari menjëherë të thërrasë seancë për të shqyrtuar të njëjtën, pa marrë parasysh vendimit të marrë dhe deri në mesnatën e së dielës, të votohej kërkesa e gjykatës.
“Fillimisht, Komisioni ishte konfuz se çfarë të bëjë, se kishin vetëm katër vota dhe kërkonin të pestën dhe kanë dërguar raport se votat janë ndarë. Kryetari i Kuvendit e ka transmetuar këtë se nuk ka vendim, që nuk është e saktë. Kuvendi ka obligim ta shqyrtojë raportin dhe nëse kjo përfundonte në kohë, nuk do të vinte në këtë situatë. Procedura është kjo: brenda tri ditëve, Komisioni do të duhej në kohë të jepte raport deri tek kuvendi dhe kryetari do të duhej menjëherë të thërrasë seancë për të shqyrtuar Raportin e Komisionit dhe të marrë qëndrimin e saj, vendimin e saj deri në mesnatë, ditën e tretë. Deri në mesnatë do të duhej të përfundonte gjithçka”,- tha ish kryeparlamentari, Stojan Andov.
Sipas Andovit, kryeparlamentari Xhaferi tani nuk mund të thërrasë seancë për të shqyrtuar imunitetin e Veljanovskit. Shqyrtimi i sërishëm mund të vijë me kërkesë të re të gjykatës, me ndonjë fakt të ri mbi ngjarjen e “27 prillit”.
“Nuk mund të thërrasë seancë tjetër, përderisa parlamenti nuk ka vendosur në kuadër të afatit të caktuar. Tani mund të ngrihet si çështje nëse gjykata sërish, për shkak të rrethanave të reja, rrethanave shtesë, e kërkon këtë. Nëse nuk ka kërkesë të re të gjykatës, kryetari i Kuvendit nuk mund të bëjë asgjë”,- u shpreh ish kryeparlamentari, Stojan Andov.
Kuvendi të dielën në mbrëmje nuk arriti të vendosë për heqjen e imunitetit të ish kryeparlamentarit Veljanovski.
MERAL ISMAILI
