Maqedoni
Imuniteti i Veljanovskit nuk e prishi koalicionin. Osmani: kemi raporte të mira. Kostadinov: LSDM dhe BDI janë në koalicion aktiv
26.02.2019 18:51
Përplasjet e fundit mes zyrtarëve të lartë të BDI-së dhe LSDM-së për t’ia hequr imunitetin deputetit të VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanovskit...

Përplasjet e fundit mes zyrtarëve të lartë të BDI-së dhe LSDM-së për t’ia hequr imunitetin deputetit të VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanovskit, nuk kanë luhatur marrëdhëniet e partnerëve të koalicionit qeverisës.
Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, dhe ai i LSDM-së, Kostadin Kostadinov, deklaruan se koalicioni qeverisës vazhdon të funksionojë në bazë të parimeve dhe marrëveshjes për bashkëqeverisje. Ndërkaq, dallimet mes partnerëve të koalicionit për çështje të caktuara diskutohen dhe dakordohen gjatë takimeve koordinuese.
“Kemi raporte të mira ndërmjet partnerëve të koalicionit. BDI ka qenë faktor kyç dhe faktor i stabilitetit prej formimit të qeverisë, por edhe tani në këto momente, por edhe në të ardhmen. Raportet tona i bazojmë mbi principet e dakorduara të ndërsjella ndërmjet dy partive, principe të definuara ndërmjet liderëve të dy partive”,- deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
“LSDM dhe BDI janë në koalicion aktiv. Edhe dje kishte seancë qeveritare ku merreshin një sërë masash që janë me interes për qytetarët. Gjithsesi, çdo mospajtim partiak tejkalohet me bisedime. Gjithsesi, pyetëm kryeparlamentarin, Talat Xhaferi, pse nuk e vendosi në votim, në kuadër të kohës që duhej të mbarojë seanca për heqjen e imunitetit deputetit, Trajko Veljanovski. Konform nenit 60 të Rregullores, kryetari organizon dhe menaxhon me seancat dhe vetëm ai mund të japë përgjigje konkrete”,- tha zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.
LSDM hodhi poshtë mundësinë që të kërkojë interpelancë për punën e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, por paralajmëroi takim koordinues mes partnerëve të koalicionit për tejkalimin e dallimeve për çështje të caktuara, por edhe për të vendosur rreth mundësisë për një kandidat të përbashkët për zgjedhjet presidenciale.
Ndryshe, kërkesa e Gjykatës Penale për të miratuar paraburgimin e deputetit të VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanoskit, i akuzuar për organizimin e ndodhive në Kuvend, u bë mollë sherri mes partnerëve të koalicionit qeverisës, pasi Komisioni për Çështje të Mandatit dhe Imunitetit nuk siguroi shumicë votash për t’i rekomanduar Kuvendit heqjen e imunitetit, ndërkaq kryeparlamentari Xhaferi, edhe pse vendosi në seancë dhe hapi diskutim për kërkesën e gjykatës dhe raportin e Komisionit, nuk i vendosi në votim brenda afatit.
SHPËTIM NUREDINI
