Maqedoni
ASh: Komuna e Çairit po shkatërron Çarshinë. Reagon komuna; lejet e ndërtimit i jep MTL
26.02.2019 19:12
Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar komunën e Çairit për rrënimin e Çarshisë së Vjetër në Shkup..

Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar komunën e Çairit për rrënimin e Çarshisë së Vjetër në Shkup si vlerë kulturore dhe arkitektonike.
Sipas kësaj partie, pushteti lokal po lejon prishjen e objekteve të vjetra dhe ndërtimin e objekteve të reja shumë më të larta se ato të vjetrat, të cilat e rrënojnë strukturën e saj. Estetikën e Çarshisë e ka dëmtuar edhe Sheshi Skënderbeu, vlerësojnë nga ASh.
“Duke ndërtuar objekte jofunksionale infrastrukturore, siç është rasti i të ashtuquajturit sheshi Skënderbeu, pjesa e sipërme e të cilit nga komuna u ndërtua me një shumë tepër të lartë me taksat e qytetarëve, tani është jofunksionale dhe e papërdorshme dhe njëkohësisht ka dëmtuar edhe estetikën e Çarshisë”,- tha Rizva Bela nga Aleanca Për Shqiptarët.
Njëherit nga ASh prezantuan projektin e tyre për Çarshinë, të cilës, sipas kësaj partie, i nevojitet rritje e sigurisë, që nënkupton çarshi pa armë, mbrojtjen e të punësuarve në çarshi dhe qytetarëve nga vjedhjet si dhe nga dukuritë devijuese.
Sigurimi i vendeve të reja për parkim. Përfundimi sa më i shpejtë i punimeve rreth çarshisë, punimet e sheshit Skënderbeu dhe Ura e Gurit.
Zhvendosja e kazinove dhe lojërat e fatit, rregullimi i orarit të punës në çarshi, rregullimi i ndriçimit, zhbllokimi i rrugëve nga tarracat, stimulimi i biznesit të vogël dhe ndihmës nga qeveria me projekte konkrete për revitalizimin e çarshisë.
Komuna e Çairit i vlerëson si të pabaza dhe dezinformuese për opinionin akuzat e Aleancës për Shqiptarët.
“Mesa duke subjekti në fjalë nuk e njeh ose shtiret se nuk e njeh rregullativën ligjore të paraparë në nenet 57 dhe 58 të Ligjit për ndërtim, sipas të cilit lejen e ndërtimit për objektet e Çarshisë së Vjetër që cilësohen si objekte të kategorisë së parë, e jep organi i administratës shtetërore për rregullimin e hapësirës, respektivisht Ministria e Transportit dhe Lidhjeve”,- theksojnë në reagimin me shkrim nga Komuna e Çairit.
Sa u përket kritikave për Sheshin Skënderbeu, nga komuna e Çairit thonë se të hedhësh baltë mbi vlerën estetike të Sheshit Skënderbeu, që me mozaikun e saj që përshkruan etapat më të rëndësishme historike kombëtare, do të thotë të fyesh vlerat e kombit që përfaqëson.
“Sheshi Skënderbeu sot gravitohet nga një numër i madh i qytetarëve dhe reflektimet pozitive për arkitekturën e saj me pamja nga Kalaja e Vjetër e Shkupit pasqyrohen përmes mjaft fotografive të publikuara”,- thuhet në reagim.
Komuna e Çairit njëherit thotë se do të vazhdojë të kujdeset për mirëmbajtjen e Sheshit dhe Çarshisë së Vjetër përmes përkrahjes së profesionit të zejtarëve, mirëmbajtjes së ndriçimit, rifunksionalizimin e shtyllave hidraulike dhe gjithçka që do të ruajë autenticitetin infrastrukturor të saj në suaza të kompetencave të përcaktuara ligjore.
REJHANE BUSHI-METAJ
