Maqedoni
Cakaj: Shqiptarët, pjesë e historisë së suksesit të RMV-së. Dimitrov: Suksesi i një vendi, sukses për të gjithë rajonin
27.02.2019 13:13
Ministri në detyrë për Evropë dhe punë të jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, dhe homologu i tij, Nikolla Dimitrov...

Ministri në detyrë për Evropë dhe punë të jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, dhe homologu i tij, Nikolla Dimitrov, në takimin e përbashkët u dakorduan që të jenë zë i fuqishëm i njëri-tjetrit në rrugën e anëtarësimit në BE dhe njëkohësisht të shkëmbejnë ekspertizën në kuadër të procesit të skriningut. Cakaj e cilësoi vendin tonë jo vetëm një fqinj në bazë të rrethanave gjeografike, por një shtet mik dhe partner strategjik. Ai çmoi lart rolin që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë luajtur në tejkalimin e sfidave të rëndësishme të vendit dhe evropianizimit të vendit.
“Shqipëria ka mbështetur përmbajtësisht Marrëveshjen e Prespës si një shembull frymëzues së çështjeve të trashëguara nga historitë e konteksteve të hapura dhe po ashtu vendi ynë ka qenë ndër të parët që ka miratuar Protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Padyshim, pjesë e kësaj historie të suksesit janë edhe vetë shqiptarët të cilët nga Marrëveshja e Ohrit e deri tek Marrëveshja e Prespës kanë dhënë një kontribut të patjetërsueshëm si faktor shtetformues dhe europianizues për vendin”,- tha ministri në detyrë për Evropë dhe punë të jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj.
Dimitrov falënderoi Shqipërinë për shpejtësinë më të cilën ratifikoi protokollin për anëtarësim.
“Kemi vizion të përbashkët europian dhe për atë e falënderova për shpejtësinë me të cilën Parlamenti i Shqipërisë ratifikoi Protokollin e Maqedonisë për Anëtarësim, ishte shumë shpejt pas Greqisë dhe Sllovenisë. Suksesi i një shteti nga rajoni është sukses edhe i tjetrit, por shpresoj në muajin qershor të gëzohemi të dyja bashkërisht”,- tha ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov.
Në lidhje me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, ministri Cakaj theksoi se në këtë dialog Shqipërisë i takon që të mbështesë pozicionet e Kosovës, por potencoi se Shqipëria ka një rol suportues për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve, e cila duhet, sipas tij, të përfundojë me njohje të ndërsjellë. Në takim po ashtu u bisedua edhe për korridorin 8 dhe për lidhjet e dy vendeve tona në sferën e energjetikës dhe kulturës. Në këtë drejtim është paraparë që Maqedonia të ndërtojë një qendër kulturore në Tiranë, edhe Shqipëria një qendër të tillë në Shkup.
FITIM KRYEZIU
