Maqedoni

Osmani-Cakaj: Kemi të njëjtën rrugë, të koordinojmë aktivitetet

27.02.2019 14:38

Shqipëria mbështet Maqedoninë e Veriut në rrugën euroatlantike, theksoi ministri i jashtëm i Shqipërisë....

Shqipëria mbështet Maqedoninë e Veriut në rrugën euroatlantike, theksoi ministri i jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, në takimin me zëvendëskryeministrin për eurointegrime, Bujar Osmani. Cakaj shpalosi përqendrimin e veçantë që ka Shqipëria në procesin e zbatimit të plotë të Ligjit për gjuhët. 
 
“Për Shqipërinë natyrshëm mbetet tepër i rëndësishëm jetësimi i Ligjit të gjuhëve dhe zbatimi i plotë i tij. Kjo është një çështje që merr vëmendje gjatë gjithë kohës nga shteti shqiptar”,- tha ministri i jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj.
 
Dy vendet ndajnë fatin e njëjtë në rrugëtimin euroatlantik, thanë Cakaj dhe Osmani, të cilët kanë ide konkrete se si të rritet bashkëpunimi mes vendeve. 
 
“Duke marrë parasysh se të dy jemi kryenegociatorë të vendeve tona me BE-në  dhe rrugët tona takohen në Bruksel, ka një hapësirë që tani t’i bashkërendojmë aktivitetet tona si në aspektin teknik, etablimit të strukturave negociuese, bashkërendimin e aktiviteteve në procesin e skriningut dhe maksimalizimin e benefiteve nga ky proces, por edhe dakordimin e aktiviteteve sa i takon vendimit të Këshillit Evropian, ku presim të aprovohet data ose konfirmimi i vitit të kaluar të BE-së për fillimin e bisedimeve”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
 
“Jemi dakorduar që të koordinojmë aktivitetet tona në mënyrë që të sigurojmë dhe angazhohemi që perspektiva e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të jetë i njëjtë dhe mos të ketë shkëputje nga fati ynë i përbashkët euroatlantik”,- tha ministri i jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj.
 
Osmani dhe Cakaj kanë biseduar edhe për organizimin e mbledhjes ndërqeveritare dhe koordinimin e aktiviteteve për perspektivë evropiane.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU