Maqedoni

Aksidenti në Llaskarcë, Spasovski: Ekspertizat janë drejt fundit

27.02.2019 15:42

Prokuroria vazhdon hetimet për të zbuluar shkaqet që çuan në aksidentin fatal të 13 shkurtit, e që rezultoi me 15 viktima dhe 37 të lënduar....

Vazhdon marrja në pyetje e dëshmitarëve okularë, e cila është zgjatur për shkak të gjendjes shëndetësore të tyre. Prokuroria ka marrë në pyetje edhe shoferin. Nga MPB thonë se ekspertizat janë drejt fundit. Ministri Spasovski pohon ndërkohë se shoferi ka marrë kërcënime për jetë dhe policia po vepron sipas procedurës, duke e marrë në mbrojtje.
 
“Ende punojmë në lidhje me rastin sipas urdhrave që i marrim nga Prokuroria Publike. Shumë materiale janë mbledhur, ekspertizat janë kah fundi dhe shpresoj se Prokuroria Publike për një kohë të shkurtër do të dalë me arsyet konkrete të aksidentit. Është e saktë se shoferi ka marrë kërcënime për jetën e tij. Ka kërcënime dhe për këtë shkak se marrim masa për mbrojtjen e tij, sepse është pjesë e procedurës”,- tha ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
 
Prokuroria ka mbledhur të gjitha dokumentet nga kompania “Durmo Turs”, që përfshijnë lejet  për qarkullim dhe kontrollin teknik, numri i udhëtarëve dhe biletat e shitura, si dhe të dhëna për relacionet që i ka kaluar shoferi para dhe në ditën e aksidentit tragjik. Pritet gjithashtu edhe ekspertiza nga Fakulteti i Makinerisë për gjendjen teknike të autobusit.
 
REJHANE BUSHI METAJ