Zgjidhet në ankand furnizuesi universal, EVN-ja edhe për 5 vite furnizues i energjisë
EVN - Maqedoni do të furnizojë me energji elektrike Maqedoninë e Veriut në pesë vitet e ardhshme....

EVN - Maqedoni do të furnizojë me energji elektrike Maqedoninë e Veriut në pesë vitet e ardhshme. Kjo kompani u shpall fituese në ankandin elektronik për furnizues universalë, në të cilin konkurruan dy kompani, EVN Maqedoni dhe ELEM. EVN - Maqedoni do të shpallet edhe zyrtarisht furnizuesi universal pas seancës së ardhshme qeveritare, në të cilën pritet të nënshkruhet marrëveshja.
“Pas përfundimit të procedurës, si ofertuesi më i volitshëm, si furnizues universal i energjisë elektrike u zgjodh kompania EVN - Maqedoni, e cila ka ofruar një marzh bruto prej 11, 5 për qind. Kishim dy oferta, njëra nga EVN - Maqedoni dhe tjetra nga ELEM, u zgjodh oferta më e vogël që u dorëzua në komision, marzha ka rënë në 11, 5 për qind nga 14. 4 për qind që ishte”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
FURNIZUESI PËR AMVISËRITË, ASNJË KOMPANI E INTERESUAR, NUK KANË LEVERDI
Asnjë kompani ndërkohë nuk ka treguar interes për të ofruar oferta për furnizim me energji elektrike për amvisëritë, edhe pse tregu i energjisë elektrike u liberalizua që nga 1 janari i këtij viti. Shkak për këtë është çmimi i lartë i energjisë elektrike në tregun vendor dhe rajonal.
“Për fat të keq, në periudhën e kaluar, furnizuesit, kryesisht për shkak të çmimeve të larta të energjisë elektrike në treg në vend, por edhe në tregun rajonal, ku çmimi shkon nga 70 në 80 euro për megavat orë, ende nuk kanë interes për të ofruar shërbimet e tyre ndaj amvisërive, por me Ligjin e ri të Energjisë dhe aktet nënligjore në sektorin e energjisë elektrike të miratuara nga KRRE, amvisërive ende u është e garantuar çmimi ekzistues i energjisë elektrike”,- tha kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski.
Tani për tani një numër i madh i furnizuesve me energji elektrike kanë kyçur marrëveshje me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilët deri tani paguanin rrymë industriale. Sipas Bislimovskit, këtyre kompanive me liberalizimin i ulen shpenzimet për 20-30%. (Ersan Pajaziti, TVM2)
