Zaturovska: Qytetarët nuk ndjehen më të sigurtë
VMRO ka akuzuar sot pushtetin se ka bërë që asnjë qytetar në Maqedoninë e Veriut....

VMRO ka akuzuar sot pushtetin se ka bërë që asnjë qytetar në Maqedoninë e Veriut të mos ndjehet më i sigurt. Deputetja e VMRO-së, Liliana Zaturovska, akuzoi për numër të shtuar të rrëmbimeve, rrahjeve dhe vjedhjeve, madje tha se perceptimi qytetar është se policia dhe kriminelët i ndajnë fifti – fifti fitimet.
Ministri Spasovski thotë se siguria në Maqedoni është rritur që në momentin kur, siç u shpreh ai, “banditët u larguan nga pushteti”. Sa për ndarjen e fitimeve, përkujtoi opozitën se ajo ishte praktikë e tyre kur ishin në pushtet.
“Qytetarët nuk ndjehen të sigurtë, nuk ka polici, si do ta arsyetoni numrin e 520 vjedhjeve vetëm në territorin e Shkupit gjatë një muaji. Qytetarët dyshojnë për lidhje të policisë me kriminelët dhe për ndarje të fitimit 50 me 50. Nuk ka zbardhje të rasteve për një numër të madh të të zhdukurve. Ka edhe raste të motivuara politike. A ndjeni çfarëdo lloj përgjegjësie për këto ngjarje të cilat mbarojnë tragjikisht për shkak se nuk i keni parandaluar. Vlerësoj se duhet të jepni dorëheqje nëse në vete ndjeni përgjegjësi minimale njerëzore. Kulmi i gjithë kësaj është rasti në Shutkë, të cilin e heshtët”,- deklaroi Liliana Zaturovska nga VMRO-DPMNE.

SPASOVSKI: SIGURIA U RRIT KUR “BANDITËT” RANË NGA PUSHTETI
“Siguria në vend është rritur më 1 qershor, prej kur “banditët” u larguan nga Qeveria. Nga ky moment siguria është rritur në mënyrë drastike. Është shumë e lehtë të dilni dhe të thoni lajme të rrejshme. Për atë jeni ekspertë, posaçërisht ju nga VMRO dhe ju Zaturovska, për shkak se ju ishit mbështetës të politikave të cilat kontribuuan në plaçkitjen mbarëkombëtare. Pas asaj plaçkitjeje për të cilën votuat 11vjet, tani votoni për të penduar që ajo të gjykohet. Ju jeni të zotë vetëm për të ndarë 50 me 50 tenderët e për punë të ngjashme dhe kam pritur të tregoni se sa prej tyre ka në xhepin tuaj dhe të familjes tuaj”,- tha ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.(Vlora Latifi Topojani, TVM2)
