Agjencia për zbatimin e gjuhës shqipe, Hani: Ekipimi cilësor do ta reflektojë suksesin
Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve ka hedhur hapin e saj të parë të funksionimit....

Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve ka hedhur hapin e saj të parë të funksionimit, por me rëndësi thelbësore është ekipimi cilësor i këtij institucioni. Zëvendëssekretari i përgjithshëm i qeverisë, Tahir Hani, panelist në “Argument” në TVM2, thotë se duhet jo vetëm ekip profesionistësh, por edhe bashkëpunim mes institucioneve në vend e më gjerë.
“Ne zbatimin për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe gjuhës standarde shqipe do ta kërkojmë nga struktura e agjencisë, por gjithashtu edhe nga vendosja e një sistemi komunikativ mes qendrave të ndryshme me përvoja të ndryshme. Agjencia që do të japë mendimin mbi përkthimet e ndryshme, materialet e ndryshme, do të japë një shtytje të përshpejtuar në drejtim të standardizimit të gjuhës shqipe. Kuptohet, dhe unë jam ithtarë i idesë që punësimet në Agjenci duhet të jenë edhe tërheqëse edhe në përputhje me pagesën, sepse nëse ne shkojmë me idenë që pagesa e të punësuarve në agjenci të jetë në një mesatare dhe jo në një mbi mesatare, atëherë sigurisht që nuk do të jetë tërheqëse për kuadrot të cilët posedojnë kapacitete dhe kualitete në aspektin e shtytjes, në aspektin e zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhës”,- deklaroi zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Tahir Hani.
EKSPERTËT: KUJDES NË PËRZGJEDHJE, DUHET CILËSI DHE BASHKËPUNIM
Edhe ekspertët pajtohen se duhet kuadër i profilizuar dhe u apelojnë autoriteteve të bëjnë kujdes në përzgjedhje dhe padyshim të bëjnë trajnime më efektive të administratorëve aktualë, sepse jo çdo njeri që flet shqip është njohës i rregullave të shqipes dhe jo çdo njeri që ka vulë zyrtare, është përkthyes i mirë.
“Kur u bëhet një testim i drejtpërdrejtë të gjithë individëve të cilët veç më janë të punësuar, do të shihet kërkesa dhe nevoja çfarë konkretisht dhe cilit individ t’i ushtrohet apo të trajnohet dhe kjo do të bëhet natyrisht me ekipe të cilat do të jenë nga profesorë universitarë të cilët do t’i trajnojnë në fusha të vazhdueshme dhe varësisht nivelit të arritjes së individëve do të mund të ndahen edhe kompetencat që do t’i kenë ata”,- tha profesoresha e gjuhës shqipe, Ajtene Qamili.
“Duhet një ekip i tërë të angazhohen nëpër institucione që të mund t’u ndihmohet, sepse përndryshe ata do të duhet të ballafaqohen me sanksione, sepse nuk janë në gjendje, pasi kanë probleme para së gjithash me të menduarit, sepse nuk janë edukuar ata me sintaksën e gjuhës shqipe. Konstruksioni i tyre është ose serb, ose maqedonas, ose ndonjë gjuhë tjetër”,- theksoi opinionisti, Ahmet Selmani.
“Fakulteti ta jep bazën, sepse vula nuk të bën përkthyes. Te ne ka pasur një kohë edhe të abuzimit të vulës dhe nga profile të ndryshme njerëzit më vijnë me vulë dhe më thonë jam përkthyes i autorizuar gjyqësor. Të vjen keq se ka shumë raste të tilla, por besoj se do të bëhet filtrimi i duhur, seleksionimi i duhur”,- u shpreh specialistja e përkthimit, Luljeta Ademi.
Profesionistët e gjuhës thonë se agjencia nuk do të duhet të mbyllet me disa anëtarë, por se bashkëpunimi duhet të jetë i hapur me individë dhe qendra të ndryshme.(Meral Ismaili, TVM2)
