Maqedoni
Pyetje deputetësh, ASh e 17-a në radhë. Sela: po censurojnë opozitën shqiptare. Misovski: shpesh keni parashtruar pyetje
27.02.2019 17:23
Kreu i ASh-së, deputeti, Ziadin Sela, akuzoi shumicën parlamentare se po përpiqet të censurojë opozitën shqiptare...

Kreu i ASh-së, deputeti, Ziadin Sela, akuzoi shumicën parlamentare se po përpiqet të censurojë opozitën shqiptare edhe në seancën për pyetje deputetësh.
Edhe pse gjatë parashtrimit të pyetjeve, raporti duhet të jetë dy me një në favor të opozitës, gjatë përpilimit të listës për pyetje deputetësh, opozita shqiptare, përkatësisht deputeti Sela, ishte radhitur i 17-ti. Sipas tij, kjo është tendencë për t’i pamundësuar opozitës shqiptare që të kërkojë përgjegjësi nga ekzekutivi për çështje me interes për shqiptarët.
“A ka të bëjë kjo me atë që doni të fshihni teatrin e para disa ditëve të cilin e servuat për marrjen e imunitetit të deputetit, Trajko Veljanovski?! A ka të bëjë kjo me faktin se s’keni përgjigje pse i merrni për herë të dytë kompetencat në arsim në Gostivar?! Ku e keni hallin, këtë më mirë ju e dini”,- tha deputeti i ASh-së, Ziadin Sela.
Mirëpo nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski, hodhi poshtë pretendimet e Selës me arsyetimin se lista bëhet në koordinim me koordinatorët e grupeve parlamentare dhe se herëve tjera deputetët e opozitës shqiptare janë radhitur më lart.
“Në harmoni me nenin dy të rregullores, kryetari i Kuvendit së bashku me koordinatorët e përpilojnë listën për parashtrimin e pyetjeve të deputetëve. Absolutisht nuk keni të drejtë në vërejtjen e juaj, sepse shumë shpesh kur ka pyetje deputetësh e zëvendësoj kryetarin e Kuvendit dhe kolegu i juaj, Sureja Rashidi, në të gjitha seancat për pyetje deputetësh ka pasur shansin të parashtrojë pyetje deputetësh”,- tha nënkryetari i Kuvendit të RMV-së, Goran Misovski.
“Ne jemi të 17-t. Pas reagimit të z. Sureja Rashidit, radhën e kaluar e keni vendosur të 8/9 në listë dhe i ka ardhur radha vetëm e vetëm se deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë bojkotuar atë seancë”,- tha deputeti i ASh-së, Ziadin Sela.
Sela kërkoi që në seancat e radhës për pyetje deputetësh, opozita shqiptare të radhitet së paku e katërta në listë, në të kundërtën paralajmëroi masa për të penguar mbajtjen e seancave të këtilla.
SHPËTIM NUREDINI
