Zaev: Kemi nevojë për pajtim, të rikthejmë dialogun
Kryeministri Zaev thotë se vendi ka nevojë për pajtim...

Kryeministri Zaev thotë se vendi ka nevojë për pajtim. Në përgjigje të vërejtjes së deputetes, Vesna Damçevska Ilievska, nga VMRO-DPMNE, se procesi i pajtimit në Kuvend për ngjarjet e “27 prillit” nuk po i jep rezultate dhe polarizimi është ende i pranishëm në shoqëri, Zaev bëri thirrje për vazhdim të dialogut mes pushtetit dhe opozitës. Sipas tij, pajtimi është më i rëndësishëm edhe se vetë reformat.
“Këtë që na ndodhi në shtet gjatë tërë periudhës së kaluar nuk do ta rregullojë dikush tjetër, nëse jo ne, përgjegjësit e parë. Tashmë është formuar trupi koordinues nacional të cilin e kryeson kryetari i Kuvendit, ndërsa ndihmë ofron edhe komuniteti ndërkombëtar. Tani është koha që ky trup të vihet në funksion, unë dhe ministrat qëndrojmë në dispozicion për gjithçka që do të nevojitet. Dëshiroj të dërgoj porosi të shtrirjes së dorës. Vjen fushata për zgjedhjet presidenciale dhe në vetë fushatën ne mund të dërgojmë porosi të maturisë dhe përgjegjësisë apo të konfrontizmit që lë përshtypje të keqe. Duhet të ketë pajtim edhe në gjyqësi. Kulminacioni ishte në Parlament dhe prej këtu duhet të fillojmë, por duhet të vazhdojmë në institucionet publike shtetërore, nëpër komunat e vendit, por edhe të fillojmë në degët rinore politike në çdo vend”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
