Botë
OKB, ShBA dhe Rusia me rezoluta për Venezuelën
28.02.2019 11:57
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të votojë sot disa rezoluta të ndryshme...

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të votojë sot disa rezoluta të ndryshme, të prezantuara nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, lidhur me krizën në Venezuelë.
Një rezolute i duhen nëntë vota për t’u miratuar dhe asnjë votë kundër nga anëtarët e përhershëm, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca dhe Britania. Mediat ndërkombëtare kanë cituar disa diplomatë të kenë thënë se versioni amerikan ka mundësi që të marrë të nëntë votat, mirëpo do të përballet me kundërshtimin e Rusisë. Rezoluta amerikane i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, që të ndihmojë në garantimin e zgjedhjeve presidenciale “të lira, të drejta dhe të besueshme” nën vëzhgim ndërkombëtar.
Aty përmendet edhe se duhet siguruar anëtarët opozitarë në këtë shtet, të cilët mbështeten nga Uashingtoni. Përveç tjerash, në rezolutë theksohet edhe nevoja e depërtimit të ndihmave në Venezuelë. Presidenti i kontestuar, Nikolas Maduro, ka bllokuar hyrjen e ndihmave nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ato janë pjesë e planeve të Uashingtonit për ta larguar atë nga zyra. Ministri i jashtëm i Venezuelës ka sugjeruar bisedime me Presidentin e ShBA-ve, Donald Trump, një ide që administrata e presidentit amerikan e ka refuzuar.
