Ligji për Prokurorinë Publike, Deskovska: Rregullon dhe statusin e PSP, por mungojnë votat
Sjellja e Ligjit për Prokurorinë Publike do të jetë një nga momentet kyçe vendimmarrëse...

Sjellja e Ligjit për Prokurorinë Publike do të jetë një nga momentet kyçe vendimmarrëse për hapjen e negociatave me BE-në.
Ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, potencon gjithsesi se mungesa e 2/3-s së votave të nevojshme në parlament, për mbështetjen e Ligjit, rrezikon që gjithçka që është bërë deri më tani të jetë e kotë, e u apelon partive të jenë të vetëdijshme për këtë.
Ajo sqaroi se ky ligj rregullon edhe çështjen e PSP-së dhe vazhdimi i kompetencave për të gjitha lëndët në të gjitha fazat që ndodhen. Sipas saj, PSP është më e kufizuara nga të gjitha prokuroritë, e sidomos nga ajo për Krim të organizuar dhe korrupsion. PSP do të ketë në kompetencë jo të gjitha veprat e funksionarëve, por ato që janë të lidhura më ta si korrupsioni, pengimi i drejtësisë, ndikimi mbi dëshmitarët etj. Kjo njëherit ka qenë edhe rekomandimet e ekspertëve të huaj, tha Deskoska.
“Ka udhëzime të qarta nga BE që ka të bëjë me tekstin e ligjit. Gjithsesi, ne nisemi nga teksti i ligjit që do të ishte ideal, ajo që do të thotë standarde evropiane, ne nuk duam të dështojmë, se atëherë do të ishte e kotë sjellja e ligjit. Kjo do të thotë se ligji i cili nuk do të ketë vlerësim kalues nga BE, fare nuk do të lëshohet në kuvend. Bëhet fjalë për vendim i cili do të mundësojë sistem cilësor në Prokurorinë Publike në të cilën PSP do të ketë rolin e saj për ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë dhe sigurisht vazhdimin e të gjitha lëndëve të filluara nga PSP, pa marrë parasysh nëse janë në fazën e akuzës, hetimit apo fazën parahetimore”,- deklaroi ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.
SAITI: PSP-SË T’I GJENDET VEND ADEKUAT NË SISTEMIN JURIDIK
Kryetari i Shoqatës së Gjykatësve, Xhemali Saiti, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, tha se Gjykata Supreme nuk e la pa kokë PSP-në, por që ka vepruar në bazë të kompetencave që ka.
“Mendimi juridik nuk ka shkaktuar ndërhyrje në sistemin juridik, por përkundrazi, do t’i përshpejtojë proceset që kanë të bëjnë me gjetjen e vendit adekuat të PSP-së në sistemin juridik. Nuk pajtohem me disa shikime se Gjykata Supreme ka marrë kompetencat e Kuvendit, pasi që këtu nuk bëhet fjalë për interpretim, por për sqarim për zbatim”,- tha gjykatësi në Gjykatën Supreme, Xhemali Saiti.
Raporti i parë për performancë dhe reformat në jurisprudencë, që u promovua sot, tregon se gjyqësori ka qenë efikas edhe përkundër mungesës së kuadrit gjyqësor, gjithsesi mungojnë kriteret për vlerësim, është vërejtur pavarësi e pjesërishme e kushtëzuar nga faktorë politikë dhe financiarë dhe paanshmëria akoma është në nivel të ulët. Për transparencë më të madhe është e nevojshme kyçja shtesë e publikut në Këshillin Gjyqësor, thuhet në raport. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
