Maqedoni
Të drejtat e punëtorëve, Komiteti i Helsinkit: Ka përmirësime, por shkeljet ende janë evidente
28.02.2019 16:16
Një e pesta e të punësuarve në industrinë e tekstilit ankohen për shkelje të të drejtave të tyre....

Ankesa ka edhe nga sektorë të tjerë, thonë nga Komiteti i Helsinkit. Sipas tyre, vërehet një lëvizje pozitive me rritjen e pagës minimale, por ende duhet punë në të drejtën e pagesës së punës jashtë orarit apo pushimit vjetor.
“Përballemi me disa probleme, theksoj industrinë e tekstilit, ka një përmirësim në pagën minimale dhe një respekt më të madh për të drejtat e punëtorëve, por ende duhet të punohet, sidomos në lidhje me punën jashtë orarit dhe pagesës për të njëjtën, në lidhje me dhënien dhe përdorimin e pushimit vjetor”,- tha Igor Jadrovski nga Komiteti i Helsinkit.
“Është bërë një hap para, prandaj ne vendosëm që të kërkojmë përkrahje, që të mundemi të fokusohemi në këtë fushë dhe të japim mbrojtjen e nevojshme, por edhe publikut t’i tregojmë se si një punëtor mbijeton tani në RMV”,- theksoi Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit.
Të drejtat e njeriut duhet të jenë në harmoni me ligjet nacionale dhe dokumentet ndërkombëtare, thotë profesoresha, Mirjana Naçevska.
“Të drejtat e punëtorëve janë pjesë e të drejtave të njeriut dhe në këtë mënyrë edhe duhet të trajtohen ato. Prandaj kur flasim për të drejtat e punëtorëve nuk i kemi parasysh vetëm ligjet nacionale, nuk i kemi parasysh vetëm dokumentet specifike ndërkombëtare, por i kemi parasysh edhe dokumentet e përgjithshme ndërkombëtare”,- u shpreh profesoresha universitare, Mirjana Naçevska.
Analiza e Komitetit të Helsinkit synon t’u ndihmojë vendimmarrësve dhe institucioneve në vendimet që marrin dhe të ofrojnë ndihmë në legjislacionin për punë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
