Rasti “Tortura”, dëshmitarët tregojnë se si u arrestua Boshkovski

28.02.2019 16:32

Në Gjykatën Penale janë dëgjuar dy dëshmitarë për rastin “Tortura”...

Në Gjykatën Penale  janë dëgjuar dy dëshmitarë për rastin “Tortura”, që ka të bëjë për arrestimin e Ljube Boshkovskit në vitin 2011.

Avokati, Lubomir Mihajllovski, theksoi se më 6 qershor të vitit 2011, rreth orës 16:00, ka marrë thirrje nga Ljube Boshkovski, i cili i ka treguar se është arrestuar dhe është dërguar në stacionin policor Gazi Babë. Ai tha se ka shkuar në stacionin policor dhe atje është takuar me Boshkovskin.

Sipas tij, Boshkovski ishte i revoltuar si dhe është ankuar për mënyrën se si është arrestuar në atë kohë dhe si e kanë shtrirë përtokë, e kanë lidhur me pranga, edhe pse nuk ka pasur shkak.

“Ai nuk kishte plagë, nuk ishte i gjakosur. Por, m’u ankua për mënyrën e privimit nga liria”,- tha dëshmitari.

Gjithashtu Boshkovski ka filluar t’i tregojë avokatit se ai nuk ka marrë para.

“Ishte i revoltuar, sepse më parë ishte ministër dhe më tha: vëlla, unë gjatë gjithë kohës luftoj për Maqedoninë dhe shiko çfarë më kanë bërë”,- u rikujtua avokati Mihajllovski.

Dëshmitari i dytë, Igno Stojkov, ka thënë se e ka parë një pjesë të arrestimit. Se si është arrestuar nga kolegët e tij dhe është futur në makinë. “Nuk jam afruar sepse njihesha më herët me Ljube Boshkovskin dhe për këtë arsye mora maskë taktike dhe jelek anti plumb”,- ka thënë dëshmitari Stojkov.

Në seancë kanë qenë të planifikuar edhe dy dëshmitarë të tjerë, por ata nuk u paraqitën. Për këtë arsye gjykimi është shtyrë për më 2 prill.

Në rastin e PSP-së “Tortura”, së bashku me Sasho Mijalkovin, janë të akuzuar edhe njeriu i parë i Njësitit për intervenim të shpejtë “Alfa”, Ivica Antevski – Puki, dhe pesë persona të tjerë nga kjo njësi. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)