Maqedoni

Komuniteti i biznesit: Ligjet që miratohen, mezi zbatohen në praktikë

28.02.2019 16:52

Komuniteti i biznesit vlerëson se ligjet në Maqedoni....

Komuniteti i biznesit vlerëson se ligjet në Maqedoni, edhe pse miratohen, vështirë zbatohen në praktikë. Një gjë e tillë ndodh edhe me Ligjin për furnizime publike. 
 
“Në Ligjin për furnizime parashihet oferta më e volitshme ekonomike si princip i ri në selektimin në procesin e furnizimeve publike, ajo në praktikë vështirë është të realizohet”,- tha drejtori i “Epi Centar”, Lubomir Dimovski.
 
Qeveria ka aprovuar një pjesë të propozimeve të biznesit sa i përket Ligjit për furnizime publike, por ka edhe propozime të cilat nuk janë pranuar. Komuniteti i biznesit u informua sot se cilat propozime kanë marrë dritë të gjelbër nga ekzekutivi.
 
“U kërkua nga ana jonë që të publikohen në sistemin elektronik jo vetëm marrëveshjet e nënshkruara, por edhe anekset e tyre, apo të publikohen edhe marrëveshjet e realizuara, për shkak se duhet pasur kontroll rreth realizimit të marrëveshjeve. Kërkesa e komunitetit të biznesit ishte që gjatë përcaktimit të kritereve për zgjedhje të ofertës më të mirë, të vihen aktet nënligjore të cilat do t’i përfshijnë sektorët, por kjo nuk u pranua”,- tha konsulentja juridike, Pavlina Dimovska.
 
“Vlerësojmë se është në ndihmë të kompanive që më mirë të pajtohen me ligjet, por edhe t’i dinë ligjet. Kompanitë në këtë mënyrë të mund t’u ikin dënimeve të mundshme”,- tha Jadranka Arizankovska nga OEM.
 
Komuniteti i biznesit kërkon që vazhdimisht të jetë i informuar me sjelljen e ligjeve të reja që në kohë të mund të japin vërejtjet e tyre, duke u kthyer kështu në korrektorë të ligjeve para se të miratohen. 
 
ERSAN PAJAZITI