Mungojnë dosjet e ekspertizës shtesë, anulohet gjykimi për rastin “Sazdovski”
Në Gjykatën Penale ende nuk janë dorëzuar dosjet e ekspertizës...

Në Gjykatën Penale ende nuk janë dorëzuar dosjet e ekspertizës shtesë të bëra pas rikonstruimit të incidentit me pasoja vdekjeprurëse ndaj Nikolla Sazdovskit.
Kjo ka çuar në anulimin e gjykimit dhe seanca e radhës u caktua për më 5 mars. Rikonstruimi i vrasjes së tifozit 20-vjeçar të grupit “Komitët” u bë më 7 shkurt, në prani të dëshmitarëve dhe ekspertëve.
Pothuajse tre orë zgjati ripërsëritja e momentit të incidentit në stacionin e autobusëve në Autokomandë, që rezultoi me vdekjen e 20 vjeçarit. Sazdovski ndërroi jetë nga lëndimet e marra më 9 korrik të vitit të kaluar në spital.
Dy të akuzuarit, Besir Bela dhe Skender Demiri, janë në paraburgim në burgun e Shuto Orizares, ndërsa për të dyshuarin e tretë, i cili akoma është i pakapshëm për organet e rendit, është lëshuar fletëarrest vendor dhe ndërkombëtar.
