Presidencialet, ASh dhe Besa mbështesin kandidatin, Blerim Reka

28.02.2019 17:47

Profesori universitar, Blerim Reka, ka konfirmuar përmes rrjetit social Facebook....

Profesori universitar, Blerim Reka, ka konfirmuar përmes rrjetit social Facebook kandidaturën e tij si kandidat i pavarur për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Kandidaturës së tij mbështetje i japin edhe dy partitë opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA.

Këto dy subjekte vlerësojnë se zgjedhjet presidenciale nuk kanë kuptim pa kandidat shqiptar, sepse ndryshe shqiptarët do të reduktoheshin vetëm në votues që japin votën, por jo edhe subjekt për të cilin duhet të votohet.

“Ne prej fillimit e kemi potencuar se jemi për një kandidat të opozitës  shqiptare dhe në këtë kontest janë zhvilluar bisedimet me Aleancën Shqiptare që si opozitë shqiptare të garojmë me një kandidat”,- tha Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa.

“Ne gjithmonë i kemi mbetur besnikë qëndrimit se shqiptarët duhet të kenë një kandidat të tyre i cili do të garojë në këto gara presidenciale. I japim përparësi, gjithsesi, një kandidati të përbashkët të opozitës. Një kandidat i përbashkët i opozitës do të jetë i mirëseardhur edhe për qytetarët edhe për ne”,- tha Syrija Rashidi nga ASh.

Tashmë partnerët e koalicionit qeverisës, LSDM dhe BDI, njoftuan se kanë arritur marrëveshje për një kandidat të përbashkët, ndërkohë VMRO-DPMNE do të garojë me Gordana Siljanovskën. (Naim Ramadani, TVM2)