Lëvizja Anti-bixhoz: Asnjë kazino pranë vendbanimeve
Lëvizja Anti-bixhoz nuk do të lëshojë pe nga kërkesat e saja....

Lëvizja Anti-bixhoz nuk do të lëshojë pe nga kërkesa që largësia e ndërtimit të kazinove dhe bastoreve sportive më së paku 3 km nga vendbanimet dhe nga institucionet.
Vetëm në qytetin e Tetovës ka 37 kazino dhe një numër të madh të kazinove. Largësia është një çështje me të cilën kjo lëvizje ka qëndrime të kundërta me propozimet e qeverisë.
“Kërkesa jonë është 3 km larg vendbanimeve tona dhe në qoftë se shkohet nga çdo institucion, detyrimisht duhet të futen edhe institucionet tjera që janë qendrat e qytetit dhe objektet fetare. Nuk kthehemi pas ndaj kërkesave tona”,- deklaroi Xhemal Abdiu nga Lëvizja Anti-bixhoz.
Universiteti i Tetovës ka ofruar ndihmë juridike për kërkesat e Lëvizjes Anti-bixhoz.
“Ne jemi të hapur që Lëvizjes Anti-bixhoz t’i ofrojmë edhe në hartimin e dispozitave ligjore, por edhe në hartimin e dispozitave tjera nënligjore edhe për çdo rregullativë dhe çdo nevojë që ka Lëvizja Anti-bixhoz, në të ardhmen fakulteti juridik është i hapur në bashkëpunim më këtë lëvizje”,- tha dekani i Fakultetit Juridik – UT, Qebier Avziu.
“Në bazë të studimeve që kemi bërë ne është që 63% e të rinjve janë në devijim e sipër që ne i kemi detektuar dhe disa prej tyre janë edhe lojërat e fatit dhe bixhozi. Ne si fakulteti i drejtësi i presim këto dy amendamentet që propozon Lëvizja Anti-bixhoz”,- tha profesori universitar, Bashkim Selmani.
Ekspertët kërkojnë jo vetëm të respektohet largësia e hapjes së kazinove nga vendbanimet dhe institucionet, por edhe që gjatë dhënies së licencës për kazinotë dhe bastoret, të ketë dy anëtarë nga lëvizjet civile dhe kontroll të rreptë për dhënien e vetë licencave, si dhe ndalesë strikte të ndalimit të hyrjes në kazino dhe bastore të çdo të mituri nën 18 vjeç. (Visar Sadiki, TVM2)
