Punësimet e familjarëve të funksionarëve, Anti-korrupsioni heton 42 raste për nepotizëm
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit po i kontrollon me kujdes 42 raste....

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit po i kontrollon me kujdes 42 raste, për punësimin e familjarëve të funksionarëve aktualë e të kaluar, që janë emëruar në institucionet publike shtetërore.
Në mesin e tyre janë edhe ato të kushërinjve të deputetit, Antonio Milloshoski, nipit të deputetes së LSDM-së, Frosina Remenskit, bashkëshortes së ish sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Kirill Bozhinovskit, gruas së vëllait të bashkëshortes së ministrit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshit, motrat dhe nipi i ministrit të pushtetit lokal, Suhejl Fazliut, kushërinj të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, këshilltarë në kabinetin e presidentit, Gjorge Ivanov, etj.
Për të gjitha rastet do të mblidhen dokumentacion plotësues për të parë nëse ka shkelje eventuale gjatë procedurës së punësimeve.
“Ajsel dhe Vedra Fazliu, motra e ministrit të pushtetit lokal, Suhejl Fazliut, punësuar në MPB, respektivisht në Qeverinë e Maqedonisë. Abdul Kadëll, nipi i ministrit të pushtetit lokal, Suhejl Fazliut, i avancuar në pozicionin drejtor në sigurinë e hekurudhave. Kristina Bozhinovska, bashkëshortja e Kiril Bozhinovskit, e punësuar në AEK. Për të gjitha këto 42 raste propozoj që të hapen lëndë me qëllim që të sigurohen dokumente plotësuese”,- deklaroi kryetarja e komisionit, Biljana Ivanovska.
“Ky është sindromë i cili seriozisht rrezikon funksionimin e institucioneve të shtetit, sepse edhe në të kaluarën edhe tani po tregohet se asnjë qeveri nuk është treguar imune nga kjo dukuri, duke e shfrytëzuar pozitën e të qenit në qeveri. Por, ne duhet të marrim masa, që kjo dukuri të parandalohet dhe për këto lloj punësime të vendosen kritere”,- tha anëtarja e Komisionit, Katica Nikollovska.
Komisioni do të hetojë edhe punësimin në një Qendër Klinike në Shkup, pasi ka marrë denoncim privat se ka pasur ndërhyrje nga një funksionar. Hetime do të ketë edhe për konflikt eventual interesash të një personi që ka dhënë ingerenca dikujt, pasi i ka mbaruar funksioni në Parlament. Nga Komisioni informojnë se të gjithë personat juridikë dhe fizikë kanë mundësi të ngrenë procedurë për dyshim për një funksionar shtetëror.
“Në bazë të nenit 17, paragrafi 1, të Ligjit për parandalim të korrupsionit dhe konfliktit të interesave, Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit vepron sipas paraqitjeve të personave fizikë dhe juridikë për dyshimet për korrupsion dhe konflikt të interesave”,- tha anëtari i Komisionit, Nuri Bajrami.
Komisioni solli vendim edhe për ta gjobitur rektorin e Universitetit “Nënë Tereza”, Aziz Pollozhani, që nuk dorëzuar të dhënat për pasurinë e tij një muaj pas ardhjes në funksion, edhe pse e mban funksionin e rektorit prej prillit të vitit 2018. Rezultatet e para nga hetimet do të dalin pasi të merren përgjigje nga institucionet. (Fitim Kryeziu, TVM2)
