Presidencialet, rrjedhin afatet për dorëzimin e firmave

28.02.2019 18:21

Vazhdon mbledhja e nënshkrimeve nga kandidatët për president......

Vazhdon mbledhja e nënshkrimeve nga kandidatët për president. Afati i fundit i dorëzimit të kandidaturave është 9 marsi.

Gordana Siljanovska-Dafkova nga radhët e VMRO-DPMNE-së, ka mbështetjen e duhur, Amdi Bajram ka mbledhur vetëm 3442 nënshkrime, Dimçe Petrevski 222 nënshkrime, Filip Petrovski 847 nënshkrime, vetëm 7  nënshkrime ka arritur të mbledhë deri tani kandidati i pestë i mundshëm, Josif Miçevski.

Zyrat rajonale të KShZ-së për mbledhjen e nënshkrimeve funksionojnë edhe në diasporë.

“Të gjithë të interesuarit munden që deri në ditën e fundit, që sipas ligjit është 9 marsi, të përpiqen të mbledhin nënshkrime në zyrat tona rajonale. Në diasporë gjithashtu janë të hapura zyrat në përfaqësitë diplomatike-konsullore, të cilat janë duke funksionuar ashtu siç duhet”,- tha kryetari i KShZ-së, Oliver Derkoski.

KShZ ka diskutuar edhe rreth personave që nuk e gjejnë aktualisht veten në listën zgjedhore për presidencialet për shkak të mosmarrjes së mjeteve të identifikimit deri në afatin ligjor të 8 shkurtit. Ata mund të bëhen pjesë e listës nëse në kohë bëjnë kërkesë në njësitë rajonale të KShZ-së.

“Ata të cilët i kanë marrë letërnjoftimet pas 8 shkurtit nuk janë në Listën Zgjedhore dhe të njëjtit i ftojmë të bëjnë shikimin publik në ueb faqen tonë dhe të bëjnë kërkesë në Njësitë rajonale që të njëjtit t’i vendosim në Listën Zgjedhore”,- theksoi nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.

Në seancë u vendos edhe për ndryshimin e rregullores së KShZ-së, konform ndryshimeve kushtetuese për emrin dhe Ligjit për gjuhët.