Eurodeputetët: Uluni e diskutoni, bojkoti cenon shtetin

28.02.2019 19:40

Në përfundim të vizitës zyrtare dyditore në Tiranë, delegacioni i Parlamentit Europian....

Në përfundim të vizitës zyrtare dyditore në Tiranë, delegacioni i Parlamentit Europian, i kryesuar nga Tunne Kelam, ka deklaruar se lënia e mandateve nga deputetët e opozitës cenon besueshmërinë e shtetit dhe nuk është zgjidhje.

“Bojkoti nga përfaqësuesit e zgjedhur cenon besueshmërinë e shtetit”,- deklaroi kryesuesi i delegacionit të PE-së, Tunne Kelam.

“Ftoj kryeministrin të diskutojë me opozitën, do të ishte sukses nëse ndodh përpara qershorit. Asgjë nuk ka ndryshuar nga dy vjet më parë. Është çështje parimore. Edhe sikur opozita të ketë tërësisht të drejtë me akuzat e saj, bojkotimi i kuvendit nuk do të zgjidhë problemin në vend”,- tha eurodeputeti, Knut Fleckenstein.

Kryedelegati i Parlamentit Europian i cilëson denoncimet mediatike për vjedhjen e votave si raste të izoluara.

“Parlamenti është zgjedhur në rrugë të ligjshme, ju keni një qeveri legjitime. Rastet e izoluara të blerjes së votës nuk kanë ndikim në panoramën e përgjithshme, përveçse kur vendos gjykata”,- tha kryesuesi i delegacionit të PE-së, Tunne Kelam.

Delegatët paralajmëruan se nëse do të ketë protesta të dhunshme, rrezikohet integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Nëse deri në qershor ne shohim pamje dhune nga rrugët e Tiranës, kjo në vetvete do të ketë pasoja për diskutimet që do të organizohen për takimin e këshillit”,- tha eurodeputeti, Knut Fleckenstein.

Për eurodeputetët progresi i bërë nga Shqipëria sa i përket reformës në drejtësi dhe vettingut, edhe pse duhet të tregojë rezultate të prekshme në vijim, është ajo që i duhet këshillit për marrjen e një vendimi pozitiv në qershor, sa i përket hapjes apo jo të negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë. (Luljeta Ndoka, TVM2)