Vuçiq: Medvegja është dhe do të jetë Serbi, Haradinaj: Marrëveshje obligative, pa ndryshime kufijsh
Apetitet e Prishtinës po shtrihen edhe atje ku nuk ka shqiptarë...

Apetitet e Prishtinës po shtrihen edhe atje ku nuk ka shqiptarë as 7%, siç është rasti me Medvegjen.
Kështu ka deklaruar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka vizituar këtë komunë, e cila së fundmi është përmendur si opsion që ajo së bashku me Luginën e Preshevës t’i bashkëngjitet Kosovës, në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të parashihte edhe korrigjimin e kufijve.
“Meqë dëgjoj për çdo ditë biseda të fuqishme nga Prishtina, normalisht se edhe Medvegja edhe Banja e Sijarinës kanë qenë dhe do të mbeten përgjithmonë Serbi. Po investojmë para të mëdha dhe do të investojmë edhe në të ardhmen. Këtë po e them vetëm që ju të mos shqetësoheni, unë nuk kam nevojë dhe kurrfarë dëshire që dikujt t’i përgjigjem për çdo ditë dhe t’i arsyetohem për çdo ditë në fund rezultati do të shihet”,- tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kundër zërave për ndryshimin e kufijve është shprehur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Jemi për një marrëveshje obligative ligjore në kufijtë ekzistues të Kosovës të 17 shkurtit që nuk nënkupton ndryshim kufijsh e territoresh, e që po ashtu nuk nënkupton një Republika Serbska në Kosovë, por një asociacion të komunave serbe sipas marrëveshjes së Brukselit brenda ligjeve të Kosovës”,- tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Liderët e Luginës së Preshevës, në takimet e mëparshme me zyrtarët në Prishtinë, kanë kërkuar miratimin e një rezolute me të cilën do të pranohej referendumi i shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për të iu bashkangjitur Kosovës. Kërkesa e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës tani për tani ka gjetur përkrahjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili nuk e përjashton mundësinë që Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë të përfshijë edhe korrigjimin e kufijve. (Gyltene Sinani, TVM2)
