Maqedoni

Kandidati konsensual, LSDM dhe BDI sonte e caktojnë kandidatin

01.03.2019 16:57

LSDM, BDI dhe partitë tjera që janë shprehur të gatshme për kandidat të përbashkët presidencial....

LSDM, BDI dhe partitë tjera që janë shprehur të gatshme për kandidat të përbashkët presidencial, sonte pritet të vendosin se cili do të jetë kandidati i tyre. Kreu socialdemokrat, Zoran Zaev, deklaroi se po shqyrtohen 10 kandidatura për të definuar kandidatin konsenzual që pritet të ketë përkrahjen e 25 subjekteve politike.
 
“Do të mblidhemi të gjithë, jemi në koordinim me të gjitha partitë politike të cilat shprehën gatishmëri të mbështesin kandidatin e përbashkët. Po shqyrtohen dhjetë emra, kemi edhe favoritët tanë pasi qytetarët na kanë dhënë porosi të qartë se çfarë duan të shohin te presidenti i ardhshëm i vendit. Do t’i marrim të gjitha aspektet analitike në aspekt që presidenti i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut të jetë president i të gjithë qytetarëve, të gjithë ta ndjejnë si presidentin e tyre dhe besojmë se do të jetë motiv i mjaftueshëm që të kemi dalje sa më të madhe në zgjedhje”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Sipas paralajmërimeve të LSDM-së, emri i kandidatit konsensual që do të garojë në presidenciale do të duhet të konfirmohet edhe në kongresin partiak të së dielës, ndërsa të njëjtën do ta bëjnë edhe organet e partive tjera që do ta mbështesin të njëjtin. Jozyrtarisht emra më të komentuar për kandidat konsensual janë Radmilla Sheqerinska, Oliver Spasovski, Nikolla Dimitrov dhe Stevo Pendarovski. 
 
MERAL ISMAILI