Maqedoni
Eurodeputetët, me tone pozitive: Meritoni fillimin e negociatave
01.03.2019 17:11
Maqedonia e Veriut nuk ka kohë për të humbur në planin e implementimit të reformave dhe zbatimin e ligjeve në praktikë.....

Klima, në përgjithësi, është pozitive, ndërkaq qeveria është deklaruar se prioritet ka eurointegrimin. Këto janë disa nga vlerësimet dhe rekomandimet e delegacionit të eurodeputetëve të kryesuar nga Tune Kelam, pak muaj para se Këshilli Evropian të vendos nëse do të hap bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut.
Sipas Kelam, fakti që vendet fqinje të Maqedonisë së Veriut të parat e ratifikuan protokollin për anëtarësim në NATO, mes tyre edhe Greqia, është sinjal pozitiv se klima e përgjithshme fillon të ndryshojë edhe në kontekst të integrimit në BE, por për të arritur këtë qëllim duhet unitet i brendshëm dhe reforma.
“Tani është koha që të koncentroheni në arritjen e këtyre qëllimeve kombëtare. Mendoj se nuk ka kohë për të humbur në dallimet politike, pasi edhe qeveria edhe opozita pajtohen se integrimi europian duhet të vazhdojë, se reformat dhe legjislatura e re duhet të adoptohet dhe zbatohet, që është shumë me rëndësi, dhe negociatat me BE-në duhet të vazhdojnë”,- deklaroi eurodeputeti, Tune Kelam.
Sipas Kelam, Maqedonia e Veriut dhe qytetarët e saj e meritojnë fillimin e negociatave, pasi, siç tha, vendi është i përgatitur mirë për të filluar negociatat. Ai dhe kolegu i tij, eurodeputeti bullgar, rikujtuan për rëndësinë e zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të jenë një lloj testi për cilësinë e demokracisë në vend.
“Ne shohim një Maqedoni ndryshe. Të fokusuar shumë më shumë në vlerat europiane dhe integrimin europian. Zgjedhjet presidenciale do të jenë moment kyç për demokratizimin e mëtejshëm të vendit”,- tha eurodeputeti, Elhan Kuçuk.
Eurodeputetët janë takuar edhe me përfaqësues të qeverisë, por edhe me opozitën. Sipas tyre, lajmi i mirë është se opozita maqedonase është e gatshme të vazhdojë bashkëpunimin në Kuvend dhe pjesëmarrjen në dialogun Zhan Mone, i cili u pezullua për shkak të saj.
SHPËTIM NUREDINI
