Maqedoni
Ratifikohet në Kroaci dhe Mal të Zi Protokolli për anëtarësimin e RMV-së në NATO
01.03.2019 17:31
Me 116 vota pro dhe dy kundër, kuvendi i Kroacisë miratoi Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO....

Kryetari i kuvendit kroat, Gordon Jandronkoviq, duke uruar Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në NATO, tha se do të vazhdojë edhe më tej të përkrah vendin tonë në aspiratat e saj në BE, transmeton televizioni shtetëror kroat. Votimi u ndoq nga delegacioni i vendit në Zagreb, i udhëhequr nga zëvendëskryetarja e kuvendit, Frosina Remenski. “Uroj Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në NATO dhe mund t’ju them në emër të përfaqësuesve të cilët e përkrahën vendimin e sotëm, se Kroacia do të vazhdojë ta mbështesë Maqedoninë e Veriut edhe në rrugën e BE-së”,- ka thënë kryetari i Kuvendit të Kroacisë, Landrokoviq.
Edhe Parlamenti i Malit të Zi e miratoi Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, ku i pranishëm në seancë ishte edhe kryeparlamentari, Talat Xhaferi. Votimi kaloi me unanimitet prej 44 votash, në mungesë të deputetëve të opozitës. Kryetari i kuvendit malazez, Ivan Brajoviq, duke uruar homologun Xhaferi për tejkalimin e krizës me Greqinë, e siguroi për mbështetjen e Malit të Zi në rrugën e mëtutjeshme euroatlantike.
Edhe shefi i diplomacisë së Malit të Zi, Srxhan Darmanoviq, ka shprehur përkrahje të integrimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, duke e llogaritur njëkohësisht edhe përparim të rajonit dhe për këtë ka thënë se nuk do të mungojë lobi malazez për zgjerimin e BE-së.
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, nuk është mirëpritur nga Partia e Demokracisë së re Serbe. Deputi serb, Mandic, madje e quajti Xhaferin ish anëtar të organizatës terroriste dhe person që ka shtënë ndaj policisë maqedonase.
Me Kroacinë dhe Malin e Zi numri i vendeve anëtare të NATO-s që nënshkruan Protokollin për aderimin e Maqedonisë së Veriut në paktin veriatlantik arriti në gjashtë, pasuar nga Greqia, Shqipëria, Sllovenia dhe Bullgaria.
NERMIN MULAKI FEZJULLAHU
