Maqedoni

Qendra e Shëndetit Publik në Kumanovë, shpalli epideminë e fruthit

01.03.2019 17:42

Qendra për shëndet publik në Kumanovë ka shpallur epideminë e fruthit...

Qendra për shëndet publik në Kumanovë ka shpallur epideminë e fruthit, pasi që numri i të prekurve nga kjo sëmundje ka arritur në 15, prej të cilëve 11 janë në komunën e Kumanovës, kurse 4 në atë të Likovës. Sipas moshës së të prekurve nga fruthi, 7 janë të moshës nën 1 vjeç, një i moshës 6 vjet e gjysmë, dy të moshës prej 20 deri në 29 vjet dhe katër të moshës prej 30 deri në 39 vjet.
 
“Në Qendrën për shëndet publik në Kumanovë kemi shpallur epideminë e fruthit, pasi që numri i të prekurve ka arritur në 15. Gjashtë rastet e para në Kumanovë janë zbuluar tek fëmijë të moshës 6 muajshe, të cilët paraprakisht kanë qenë të hospitalizuar në Klinikën e fëmijëve për mushkëri në Kozle. Nga 15 të prekurit nga fruthi, 11 janë në Kumanovë, kurse 4 në Likovë, respektivisht një në fshatin Opajë, dy në Sllupçan dhe një në Nikushtak”,- tha epidemiologia në Qendrën për Shëndet Publik në Kumanovë, Jadranka Stamenkovska.
 
Me qëllim të parandalimit të zgjerimit të epidemisë janë ndërmarrë masa preventive si në spital po ashtu edhe nëpër çerdhet dhe shkollat e qytetit.
 
“Janë bërë ekspertiza epidemiologjike në të gjitha çerdhet si dhe në shkollën ku mëson fëmija i prekur i moshës shkollore. Për këtë qëllim është kryer dezinfektimi si dhe kontrolli i statusit të vaksinimit. Fëmijët që nuk kanë marrë vaksina janë ftuar që të vaksinohen, kurse planifikohet edhe vaksinimi i të gjithë punëtorëve të shëndetit të Repartit të fëmijëve dhe Repartit infektiv në spitalin e Kumanovës”,- tha epidemiologia, Jadranka Stamenkovska.
 
Mjekët tërheqin vërejtjen se gjatë këtij muaji mund të vijë deri te rritja e numrit të të prekurve nga fruthi, andaj sugjerojnë që të merren parasysh rekomandimet e tyre për masat e parandalimit të zgjerimit të mëtejmë të epidemisë së fruthit.
 
FATLUM AQIFI