Maqedoni
25 vjetori i njësitit të parë special, Maksuti: Kemi koncept të përfaqësimit
01.03.2019 17:49
Edhe në festimin e 25 vjetorit të themelimit të njësitit të parë special

Edhe në festimin e 25 vjetorit të themelimit të njësitit të parë special në kuadër të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, që paraqet edhe pjesën më elitare të forcave të armatosura, vazhdon që përfaqësimi i shqiptarëve të jetë në numra simbolik. Sipas zëvendësministrit të mbrojtjes, Bekim Maksutit, përfaqësimi akoma është i ulët, por nga viti në vit ky numër është duke u përmirësuar. Sipas tij, që në vitin 2004 është përgatitur një koncept që në të gjitha njësitet elitare të Forcave të Armatosura të jenë të përfaqësuar edhe etnitetet tjera, me çka do të ndryshonte perceptimi i të menduarit për këtë njësit special të ARM-së. Tani me shumë sukses, sipas Maksutit, njërin nga këto batalione të kësaj njësie speciale e udhëheq nënkoloneli, Blerim Ismaili, por, sipas tij, akoma mbetet shumë punë për t’u bërë.
“Qysh në vitin 2004 është krijuar një koncept që të përfaqësohen edhe etnitë e tjera, respektivisht shqiptarët, dhe unë mburrem sot dhe jam krenar para jush se njëri nga batalionet e kësaj njësie e udhëheq një oficer i lartë, bëhet fjalë për nënkolonelin, Blerim Ismaili. Por, ka në çdo njësi përbërëse të këtij batalioni shqiptarë, edhe atë si në pozitën e ushtarëve, ashtu edhe në atë të oficerëve dhe nënoficerëve”,- tha zëvendësministri i mbrojtjes, Bekim Maksuti.
Maksuti po ashtu pohoi se këto njësi po përballen edhe me një problem i cili po shfaqet viteve të fundit, ku shumë të rinj nga të gjitha etnitetet nuk paraqiten në numër të mjaftueshëm në konkurset që po hapen. Ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, pohon se përmbushja e kritereve për anëtarësim në NATO ka bërë që ushtrinë dhe ekonominë ta afrojë edhe më shumë.
“Të dhënat e fundit të Bankës Popullore treguan se viti 2018 po mbaron si vit rekord në nivelin e investimeve të huaja edhe atë më shumë se 600 milionë euro. Katër herë më shumë se në vitin 2017 dhe më shumë se në të gjitha vitet, së bashku në 2012, 2013 dhe 2014, u dëshmuan pohimet tona se anëtarësimi ynë në NATO është motori kyç për ringjallje të ekonomisë dhe këtë fat të vendit, si në aspektin ekonomik, por edhe atë të sigurisë, është në duart tuaja”,- tha ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Ceremonia e themelimit të njësitit të parë special të ARM-së u mbajt në kazermën Ilinden në Shkup, ku ishin të pranishëm edhe zyrtarë të NATO-s.
FITIM KRYEZIU
