Futboll

Shtatë futbollistë shqiptar në listën e Gjurovskit

25.08.2014 14:44

Seleksionuesi I përfaqësueses futbollistike të Maqedonisë, Boshko Gjurovski...

Seleksionuesi I përfaqësueses futbollistike të Maqedonisë, Boshko Gjurovski, në një pres konferencë kumtoi emrat e futbollistëve në të cilët do të mbëshetet për ndeshjen e parë kualifikuese për evropianin e vitit 2016, që me 8 shtator do të luhet kundër Spanjës në Valensi.
 
Gjurovski, në listën e tij fillimisht ka ftuar 24 futbollistë, por portieri Darko Tofillovski, është dëmtuar gjatë ndeshjes së fundit kampionale dhe nuk do të jetë në dispozicion. Nga ana tjetër, në mesin e 23 lojtarëve, bie në sy fakti që shtatë prej tyre janë shqiptar, një shifër rekorde kjo sa I përket ekipit të Maqedonisë prej mëvetësimit e këtej.
 
Në listë janë mbrojtësit Ardian Cuculi nga Partizani dhe Ezxhan Alioski nga Shafhauzeni, mesfushorët Arijan Ademi i Dinamo Zagrebit, Muhamed Demiri nga Sent Galeni dhe Ferhan Hasani nga Brondbi si dhe sulmuesit Agim Ibraimi prej Mariborit dhe Besart Abdurahimi nga Lokereni.
 
Spanja është ekip për të cilin nuk duhet edhe aq shumë të flitet, është i opinionit Boshko Gjurovski.
 
“Nuk duhet potencuar që Spanja është kombëtare e klasit të lartë, me futbollist cilësorë, por gjithsesi, është e njerzishme të shpresojmë dhe dëshirojmë që ciklin e ri kualifikues, ta nisim me rezultat pozitiv. Besoj në përzgjedhjen e lojtarëve dhe mendoj se na pret një ndeshje e vështirë, për të cilën duhet të përgatitemi maksimalisht”, është shprehur Gjurovski.
 
Grumbullimi I reprezentuesve do të nis me 2 shtator në Valensi, aty ku do të zhvillohen përgatitjet dhe para ndeshjes të 8 shtatorit kundër Spanjës, do të luhet edhe një sfidë përgatitore e tipit të mbyllur.
 
MUSTAFA ADEMI