Maqedonia bindshëm kundër Danimarkës
Përfaqësuesja basketbollistike e Maqedonisë, e regjistroi edhe fitoren e katërt në kualifikimet për Eurobasketin e vitit 2015...

Përfaqësuesja basketbollistike e Maqedonisë, e regjistroi edhe fitoren e katërt në kualifikimet për Eurobasketin e vitit 2015, duke mposhtur pa shumë probleme Danimarkën, me rezultat bindës prej 80-46.
Me këtë fitore, të përzgjedhurit e seleksionuesit Aleksandar Xhikiç, pothuajse siguruan plasmanin për në evropian, edhe pse për një gjë të tillë duhet pritur ndeshjen e fundit kundër Bjellorusisë. Danezët, në sfidën e zhvilluar në arenën “Boris Trajkovski”, kishin ardhur me vetëm nëntë basketbollistë, një fakt që flet për joseriozitetin e autsajderit total në grupin D.
Amerikani Hendriks, me dabëll dabëll prej 15 pikë e 12 kërcime, ishte më meritori për fitoren e Maqedonisë, e cila të mërkurën duhet doemos të korrë fitore edhe kundër Bjellorusisë. Verdhekuqtë, në rënditjen tabelare gjenden në pozitën e dytë, me nëntë pikë të fituara, aq sa ka edhe Belgjika, që është e sigurt me plasmanin në evropian.
Nga ana tjetër, Maqedonia, në rast të triumfit kundër Bjellorusisë, do të jetë në mesin e gjashtë kombëtareve të plasuara në pozitat e dyta e të cilat do të udhëtojnë në Eurobasket.
MUSTAFA ADEMI