Barcelona pa probleme deri te fitorja e parë
Barcelona nuk gaboi dhe e nisi me hapin e duhur La Ligën e sezonit 2014-15. Në “Camp Nou”, ekipi “blaugrana” mposhti 3-0 Elchen e ardhur nga Segunda...

Barcelona nuk gaboi dhe e nisi me hapin e duhur La Ligën e sezonit 2014-15. Në “Camp Nou”, ekipi “blaugrana” mposhti 3-0 Elchen e ardhur nga Segunda, falë dygolëshit të të zakonshmit Leo Messi, që për vitin e tretë radhazi e nisi sezonin me dygolësh, si dhe një goli të talentit më të ri Munir.
Ndeshja ishte nën kontrollin e plotë të katalanasve nga fillimi deri në fund dhe pavarësisht kartonit të kuq një minutë nga fundi i pjesës së parë të Mascheranos, për një ndërhyrje të gabuar si lojtar i fundit, të besuarit e Luis Enriques nuk e vunë asnjëherë në diskutim rezultatin.
Enrique duhej ta niste sezonin e ri pa tre lojtarë, njëri më i rëndësishëm: Neymar, si dhe Suarez e Piquet, por uruguajani dihet që është i pezulluar.
Edhe pse Messi shënoi dy gola dhe mori lëvdatat e radhës, ai që ra më shumë në sy ishte talenti Munir, i cili veç golit të shënuar, goditi edhe traversën në minutën e 22-të, pas të cilit traun e portës e tronditi edhe Iniesta. Ndërkohë rezultati u zhbllokua tre minuta nga fundi i pjesës së parë, për t’u “blinduar” më pas në të dytën.
Ndërkohë sonte zbresin në fushë dy ekipet e Madridit, Realu dhe Atletico, të cilat sezonin e ri do ta nisin kundër Kordobas në shtëpi, respektivisht Rajo Valekanos si mysafirë.