Botë

Merkel: përgjimi në shërbim të sigurisë

25.08.2014 15:52

Shërbimi i inteligjencës gjermane është udhëzuar që të mbledhë informacione në shërbim të sigurisë, ka deklaruar kancelarja gjermane, Angela Merkel...

Shërbimi i inteligjencës gjermane është udhëzuar që të mbledhë informacione në shërbim të sigurisë, ka deklaruar kancelarja gjermane, Angela Merkel, e pyetur për çështjen e përgjimit të Shqipërisë dhe Turqisë. “E para, duhet të kuptoni se nuk jap detaje nga puna e BND-së.
 
Së dyti, shprehja “nuk duhet të ketë spiunazh mes miqsh” është thënë në kontekstin e aktiviteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky kontekst është i rëndësishëm.
 
Në fund, BND-së i është kërkuar që të sigurojë nga jashtë të gjithë informacionin e nevojshëm për sigurinë tonë. Dhe nga brenda, llogaridhënia i përket Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës.
 
Dhe unë besoj, sidomos duke pasur parasysh kërcënimet në rritje, që puna e shërbimeve të inteligjencës do të na duhet edhe më tej,” ka thënë Merkel në një intervistë për televizionin publik, ARD. 
 
Ndryshe revista gjermane, “Der Spiegel”, ka publikuar se Shërbimi Sekret i Gjermanisë ka spiunuar Shqipërinë prej disa vitesh për të mbajtur nën kontroll “krimin e organizuar”.
 
Raporti, u botua vetëm një javë pasi e njëjta reviste, “Der Spiegel”, zbuloi se inteligjenca gjermane kishte përgjuar një bisedë telefonike të bërë nga sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, si dhe kishte spiunuar edhe Turqinë. 
 
Aferat e përgjimit kanë tensionuar raportet mes SHBA-ve dhe Gjermanisë, por edhe ato turko-gjermane. Ambasadori gjerman në Ankara, është thirrur nga përfaqësues të Qeverisë për të dhënë shpjegime brenda kësaj jave, lidhur me përgjimin.
 
Po ashtu skandalet e përgjimit ishin shkas për largimin e shefit të stacionit të CIA-s në Gjermani nga posti i tij, pasi më herët Qeveria gjermane ankohej se Uashingtoni kishte kryer operacione intensive spiunazh në Gjermani, duke përfshirë dhe përgjimin e celularit të kancelares, Angela Merkel, kur kjo e fundit pati deklaruar se miqtë nuk duhet të përgjohen.
 
Po ashtu skandali i përgjimit vjen pak ditë para Konferencës së vendeve të rajonit që do të mbahet më 28 gusht në Berlin, ku është paralajmëruar që kryeministri shqiptar, Edi Rama, ta përfaqësojë Ballkanin Perëndimor krah kancelares Merkel.
 
GYLTENE SINANI