Maqedoni

IN MEMORIAM: Ndërroi jetë ish kryetari i Dibrës, Qemal Xhafa

04.03.2019 12:44

Nga një sëmundje e papritur, mbrëmë në spitalin e Dibrës ka ndërruar jetë në moshën 75 vjeçare, ish-kryetari i komunës së Dibrës, Qemal Xhafa...

Ai ishte kryetar i parë i pluralizmit në komunën e Dibrës me 2 mandate. Qemal Xhafa u lind në vitin 1944, në fshatin Kovashicë të Shupenzës, Bashkia e Peshkopisë.

Në vitin 1976 u diplomua në Fakultetin e Universitetit të Prishtinë, në degën e Elektro-teknikës.

Punoi si mësues në fshatin Sollokiç, profesor në shkollën e mesme “19 nëntori” në Prishtinë, si inxhinier në fabrikën e qilimave “Novost” në Dibër, në ndërmarrjen ndërtimore “Soliter” në Gjilan dhe inxhinier në ndërmarrjen e elektro-distribucionit në Dibër, dhe një kohë drejtor i elektro-distribucionit.

Qe kryetar i parë me dy mandate 4-vjeçar i Degës Dibër të Partisë për Prosperitet Demokratik, që u themelua më 5 maj 1990.

Në zgjedhjet lokale për Kuvendin Komunal, që u mbajtën në janar të vitit 1991, PPD-ja fitoi shumicën dërmuese të këshilltarëve, ndërsa Këshilli komunal në mbledhjen e parë e zgjodhi kryetar të Kuvendit Komunal për një mandat 4-vjeçar, por që në fakt zgjati 6 vjet.

Më 1996, u zgjodh dhe për një mandat të dytë dhe e kreu detyrën e kryetarit të Këshillit Komunal të Dibrës deri në vitin 2 000, plot 10 vjet.

Varrimi i të ndjerit do të bëhet në varrezat e qytetit, të martën në orën 12.00.