Botë

Mali i Zi, shqiptarët në Tuz fitojnë zgjedhjet

04.03.2019 13:05

3 marsi i 2019-ës do të mbetet në historinë e shqiptarëve në komunën Tuz të Malit të Zi...

Për herë të parë pas 62 viteve, atyre u jepet mundësia të qeverisin të pavarur nga Podgorica zyrtare.

Rezultatet të cilat u shpallën pas procesit zgjedhor të së dielës, treguan se shqiptaret kanë shumicën e cilësuar për të udhëhequr me Tuzin.

Menjëherë pas përmbylljes së votimit, i gjithë Tuzi shpërtheu në festë.

Për fitoren e shqiptarëve të Malit të Zi, raportuan edhe mediat lokale, sipas të cilave, Forumi Shqiptar shënoi një fitore të thellë me 3.780 vota, DPS me 2.470, SNP 81 vota, Demokratët 236 vota, SD 356 vota dhe Boshnjakët 952 vota.

E përkthyer në mandate këshilltarësh komunalë, shqiptarët përllogaritet të kenë marrë 16 këshilltarë nga 32 që janë gjithsej.

Këto janë zgjedhjet e para në Tuz që prej shkëputjes nga Podgorica, vitin e kaluar. Kandidati i përbashkët i shqiptarëve “Malësia na Bashkon”, Nik Gjeloshaj, pas votimit tha që komuna tani do t’u takojë shqiptarëve, sepse dalja e shqiptarëve në një sigël të vetme bëri që Tuzi të fillojë të shkruajë historinë.