Riker: Marrëveshja e Prespës, shembull për rajonin
Vetëm zgjidhja e problemeve ndërfqinjësore, fuqizimi i qeverisjes së të drejtës....

Vetëm zgjidhja e problemeve ndërfqinjësore, fuqizimi i qeverisjes së të drejtës, lirisë dhe shoqërisë në Ballkanin perëndimor, mund ta inkuadrojnë Ballkanin Perëndimor në familjen evropiane. Integrimi i Ballkanit perëndimor në strukturat euroatlantike vazhdon të mbetet interes strategjik i ShBA-ve, tha ndihmëssekretari i ardhshëm amerikan për Evropë dhe Azi, Filip Riker, në konferencën “Ballkan 360”. Sipas tij, i gjithë rajoni duhet të marrë shembull nga Marrëveshja e Prespës.
“Çelësi për transformimin në aspiratat e tyre evropiane janë lidershipi, guximi, vizioni dhe përgatitja për të ndërmarrë rreziqe politike, diçka që e kanë bërë kryeministrat e Greqisë dhe Maqedonisë. Duke u kthyer në Evropën Juglindore, Marrëveshja e Prespës është shembull i shkëlqyer për këtë. Kjo marrëveshje e hapi rrugën që Maqedonia e Veriut të jetë anëtarja e 30 e NATO-s”,- tha ndihmëssekretari i ardhshëm i ShBA-ve për Evropë dhe Azi, Filip Riker.
OSMANI: RMV PO NDËRTON REALITET TË RI
Republika e Maqedonisë së Veriut është realiteti i ri i rajonit - tregim i suksesshëm evropian, që fuqishëm ndikon në transformimin e kontekstit politik në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në drejtim të promovimit dhe të etablimit të vlerave evropiane, vlerëson zëvendëskryeministri Osmani.
“Është kënaqësi të prezantoj këto ditë një vend që globalisht paraqet një histori suksesi. Është historia e Maqedonisë së Veriut, realiteti i ri në Evropën Juglindore, një vend i cili vetëm njëzet muaj më parë ishte një histori tjetër e mërzitshme ballkanike, me konflikte të hapura politike me dy fqinj, të dy anëtarë të NATO-s dhe BE-së, sfida të brendshme, marrëveshje të pambyllura paqësore prej para 18 vitesh dhe kërcënime të brendshme nga institucione të kërcënuara demokratike”,- tha zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
RIKER: TË HIQET TAKSA NDAJ MALLRAVE SERBE, KOSOVA PO RREZIKON MARRËDHËNIET ME SHBA-TË
Riker nga Shkupi bëri thirrje që Prishtina dhe Beogradi të tejkalojnë barrierat në negociata dhe të lejojnë dialogun të lëvizë përpara. Ai njëherit kërkoi nga Qeveria e Kosovës që ta suspendojë vendosjen e taksës 100% për mallrat serbe. Me mosheqjen e taksës, Kosova po vë në pikëpyetje edhe marrëdhëniet e mira bilaterale me ShBA-të, tha Riker.
“ShBA-të, ndoshta miqtë tuaj më të afërt strategjikë, besojmë se arritja e një marrëveshjeje me Serbinë është e vetmja rrugë që Kosova të shkojë përpara. Fakt është që Kosova nuk mund t’i kthehet dialogut me Serbinë pa suspendimin e taksës, gjë që ne besojmë se është në interes të Kosovës, ShBA-ve dhe të gjithë rajonit. Është fatkeqësi dhe e habitshme që akoma kemi mosmarrëveshje serioze me Qeverinë e Kosovës për këtë çështje. Kam frikë se Kosova dëmton marrëdhëniet tona bilaterale, marrëdhënie të cilat ne i vlerësojmë shumë”,- u shpreh ndihmëssekretari i ardhshëm i SHBA-ve për Evropë dhe Azi, Filip Riker.
Lufta ndaj korrupsionit, krimit dhe zbatimi i reformave që do ta përmirësojnë cilësinë e jetesës së qytetarëve duhet të jenë pikëreferim për të gjitha qeveritë e Ballkanit perëndimor, porositi Riker. (Ersan Pajaziti, TVM2)
