Maqedoni
Riker-Ahmeti: Zbatimi i reformave në gjyqësor, në fokus
04.03.2019 16:59
Zhvillimet aktuale dhe procesi i realizimit të reformave ishin temat për të cilat biseduam gjatë takimit me ish-ambasadorin amerikan, Filip Riker....

Zhvillimet aktuale dhe procesi i realizimit të reformave ishin temat për të cilat biseduam gjatë takimit me ish-ambasadorin amerikan, Filip Riker, tha kreu i integristëve, Ali Ahmeti, pas takimit. Sipas Ahmetit, Riker ka shprehur gatishmërinë e përkrahjes së plotë të ShBA-ve, sidomos sa u përket reformave në gjyqësi dhe sundimit të ligjit.
“Këshilla mjaft miqësore e zotit Riker është të kemi një përkushtim sa më të madh në drejtim të reformave në drejtësi dhe sundim të ligjit, këto janë detyra më të rëndësishme pas përmbylljes, t’i quaj kapitujve të mëdhenj, siç është zgjidhja e çështjes së emrit dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve. Tani mbetet detyrë e drejtpërdrejtë, por përgjegjësi shumë e lartë jo vetëm e partive në pozitë, por edhe atyre në opozitë, që të jemi të suksesshëm në drejtim të reformave dhe sundimit të ligjit”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Gjatë takimit është biseduar edhe për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
“Ka qenë temë diskutimi. Sigurisht që përshëndeti hapin që është bërë në drejtim të një kandidature të përbashkët, në instalimin e vlerave të reja në Republikën e Maqedonisë së Veriut, që bashkërisht në projekte të përbashkëta madhore të dalin shqiptarë e maqedonas”,- u shpreh Ahmeti.
Filip Riker ishte ambasador i ShBA-së në Maqedoni në vitet 2008-2011. Kjo është vizita e tij e parë në vend pas paralajmërimeve se do ta marrë funksionin ndihmëssekretar i ShBA-së për Evropë dhe Euro-Azi.
NAIM RAMADANI
