Maqedoni
Komisioni Kuvendor i Shëndetësisë, debat rreth ndryshimeve në Ligjin për abortet
04.03.2019 17:33
Liberalizimi i të drejtës për abortin hapi debat midis deputetëve dhe sektorit civil në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë...

Ndryshimet e propozuara nënkuptojnë që grua shtatzënë të mos presë tri ditë këshillim dhe as të thotë arsyet se pse dëshiron të abortojë. Shtatzënia e padëshiruar do të mund të ndërpritet edhe pas javës së 12 nëse ekziston rrezik për shëndetin e nënës, por edhe pas javës së 22 nëse nëna merr lejen nga Komisioni i mjekëve. Nga Qendra për këshillim “Zemra që rrah” u deklaruan se teksti i propozuar ka edhe mangësi.
“Gratë që kanë vendosur të abortojnë asgjë s’mund t’i ndalojë në qëllimin e tyre. Por, çfarë do të ndodh me ato gra që nuk dinë se çfarë të bëjnë, me kë të bisedojnë, nga kush të kërkojnë ndihmë. Pse nuk u lejoni që të kenë kohë për marrjen e vendimit se çfarë të bëjnë”,- tha Svetllana Jovanova nga OJQ “Zemra që rrahë”.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se shtatzëna vetë duhet të vendos për ndërprerjen e shtatzënisë dhe ligji parashikon që mjekët të paralajmërojnë gratë për rrezikun dhe pasojat nga aborti. Sipas tij, janë hequr edhe dënimet.
“Janë hequr edhe dënimet e larta për institucionet dhe mjekët që kryejnë aborte. E dimë se edhe dënimet e larta ndikojnë në vendimin e mjekut për të kryer ose jo abortimin”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Pro ndryshimeve u deklarua edhe deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniella Rangellova.
“Nëse vështirësojmë procedurën do të rrisim natalitetin. Unë nuk pajtohem me këtë. Inkurajoj përfaqësuesit e ministrisë dhe vetë ministrin që të ketë më shumë edukim për mbrojtje nga shtatzënia e padëshiruar”,- tha Daniella Rangellova nga VMRO-DPMNE.
Përfaqësues të bashkësive fetare edhe pse erdhën në kuvend nuk morën pjesë në debat me arsyetimin se nuk kanë qenë të ftuar.
MERAL ISMAILI
