Maqedoni

KShZ, Enti i Revizionit dhe Anti-Korrupsioni memorandum ndjekjen e presidencialeve

04.03.2019 18:06

Tri institucionet, si Enti për Revizion, Komisioni Shtetëror Zgjedhor dhe Komisioni për Parandalim të Korrupsionit....

Tri institucionet, si Enti për Revizion, Komisioni Shtetëror Zgjedhor dhe Komisioni për Parandalim të Korrupsionit kanë thelluar bashkëpunimin përmes një marrëveshje, me të cilën zotohen se do të bashkëpunojnë ngushtë për tejkalimin e parregullsive në zgjedhjet presidenciale. Po ashtu do të formohet komision i posaçëm që të merret me punësimet të cilat realizohen pas shpalljes së zgjedhjeve presidenciale.
 
“Bashkëpunimi në mes tri institucioneve në kontinuitet po rritet, por është mirë që atë çka e bashkëpunojmë ta kemi edhe në letër të shkruar. Në të ardhmen kjo vetëm i jep një impakt më të mirë për ndihmë në mes institucioneve dhe ne jemi të hapur për të dyja këto institucione, me të cilat do të bashkëpunojmë si motra”,- tha Naser Ademi nga Enti për Revizion.
 
“Tri institucionet janë ngushtë të lidhura mes tyre në fushatën e kampanjës parazgjedhore dhe zgjedhore për këto zgjedhje presidenciale. Tani na mbetet që brenda këtyre 50 ditëve ta risim angazhimin tonë, me qëllim që në fund të gjithë të involvuarit në këtë proces, si ata që janë kandidatë, ashtu edhe ne si institucione, ta mbarojmë pjesën tonë të punës, që këto zgjedhje të kalojnë ashtu siç duhet”,- tha Oliver Derkovski nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor.
 
Anti-Korrupsioni do të ketë rol më të rëndësishëm për ndjekjen e punësimeve pas shpalljes së zgjedhjeve, për çka kryetarja e këtij komisioni tha se tashmë ka edhe denoncime, prandaj së shpejti do të formojë edhe lëndë.
 
“Me ligjin e ri janë shtuar detyrimet e Komisionit për Parandalim të Korrupsionit në aspektin e vëzhgimit të zgjedhjeve dhe në këtë aspekt ky bashkëpunim do të jetë i një ndihmese të veçantë. Ky bashkëpunim do të jetë në drejtim të shkëmbimit të informacioneve, kordinim në bashkëveprim, ndihmë ne mes tri institucioneve në sferën e këshillave të ekspertëve, por edhe në drejtim të informimit të ndërsjellë në rast të ndonjë problemi gjatë zgjedhjeve”,- tha kryetarja e Anti-Korrupsionit, Biljana Ivanovska. 
 
Nga ky komision potencuan se lëndët do të hapen edhe për funksionarët shtetërorë që janë aktualisht në pushtet, por edhe për ata të VMRO-DPMNE-së opozitare.
 
FITIM KRYEZIU