Botë
21 vjetori i “Epopesë së UÇK-së”, nderime Jasharajve dhe dëshmorëve të lirisë
05.03.2019 16:14
Filloi manifestimi 3-ditor në Kosovë “Epopeja e UÇK-së”, për të përkujtuar sakrificën sublime të familjes Jashari...

Filloi manifestimi 3-ditor në Kosovë “Epopeja e UÇK-së”, për të përkujtuar sakrificën sublime të familjes Jashari dhe rënien e komandantit legjendar, Adem Jasharit. Manifestimi mbahet nën organizimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, të cilave vëllai i Adem Jasharit, Rifati, u apeloi të jenë të gatshëm ta mbrojnë vendin, njëjtë siç e mbrojti edhe familja e tij dhe të gjithë dëshmorët dhe martirët e tjerë të lirisë.
“Ushtrisë i dëshiroj lumturi, që të jenë gjithmonë të gatshëm të mbrojnë vendin, siç e mbrojti UÇK-ja. Duke falënderuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet mike që na kanë ndihmuar dhe besoj që prapë do të na ndihmojnë. Lavdi dhe nderë ju dhe gjithë ushtarëve”,- tha vëllai i Adem Jasharit, Rifat Jashari.
Sakrifica e familjes Jashari bëri kthesën e jashtëzakonshme në historinë e popullit shqiptar dhe se bota filloi ta kuptojë drejtë çështjen e Kosovës, thanë autoritetet e larta të Kosovës në manifestim. Për ta, e kaluara nuk duhet harruar që të mos përsëritet.
“UÇK-ja u bë projekti më kombëtar në historinë e kombit, sot dhe gjithmonë nderojmë të gjithë dëshmorët e lirisë dhe sakrificën e të gjithëve që dhanë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Kujtojmë edhe spastrimin etik që iu ndodhi shqiptarëve, kujtojmë mbi 13 mijë civilë, rreth 400 masakra, rreth 20 mijë gara të dhunuara… Kosova në të ardhmen e afërt do të bëhet pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian, OKB-së dhe do t’i forcojë raportet speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”,- tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Në marsin e 98-s, midis Evrope është shuar një familje e tërë, por bota e lirë është zgjuar dhe nuk lejoi të zhduket një popull. Vetëm një popull që është i gatshëm ta mbrojë lirinë me çmimin e jetës e ka të ardhmen e sigurt”,- u shpreh kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Epopeja e UÇK-së mbahet më 5, 6 dhe 7 mars për nder të rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit dhe familjes së tij, në vitin 1998 në Prekaz të Skenderajt, si pasojë e sulmit të armatosur nga forcat serbe.
GYLTENE SINANI
