Maqedoni
Rastet e montuara politike, Selmani: Dënime për ata që dhanë vendimet
05.03.2019 17:34
Prokurorët dhe gjykatësit të cilët kanë marrë pjesë dhe kanë sjellë vendime në proceset e gjykimeve të rasteve të montuara.....

Prokurorët dhe gjykatësit të cilët kanë marrë pjesë dhe kanë sjellë vendime në proceset e gjykimeve të rasteve të montuara, duhet të japin dorëheqje dhe të përgjigjen para drejtësisë për veprimet e tyre këto 15 vitet e fundit. Kështu është shprehur eksperti juridik, Bashkim Selmani, sipas të cilit, për gjithë këtë katandisje të gjyqësorit fajin e ka tani më refugjati në Hungari, ish kryeministri, Nikolla Gruevski.
“Kërkojmë që të gjithë ata prokurorë, gjykatës, të cilët ishin bashkëautorë në të gjitha rastet e montuara ndaj shqiptarëve, t’u pushohet vendi i punës. Të shfrytëzohen mjete të jashtëzakonshme, revizion gjyqësor të gjithë ata persona shqiptarë të cilët edhe sot e kësaj dite janë të dënuar me burgim të përjetshëm. Kërkojmë që edhe nga trupat gjykues të respektohet badender. Deri tash gjyqësori në Maqedoninë e Veriut jo vetëm që i ka kufizuar përdhunuar, të drejtat e shqiptarëve, por të gjitha rastet flasin për raste të montuara. Refugjati ka ikur por keqbërësit i ka këtu dhe po të njëjtat keqbërje vazhdojnë të bëjnë edhe sot ndaj shqiptarëve”,- deklaroi eksperti juridik, Bashkim Selmani.
Studentët e drejtësisë në UT, gjykatësit dhe prokurorët e ardhshëm kanë mendimin se drejtësia në RMV është e ndikuar nga politika. Ata improvizuan një seancë gjyqësore me vendime të paanshme ndaj të akuzuarve imagjinarë.
“Për fat të keq, vitet e fundit nuk kemi gjyqësor real, por kemi një gjyqësor që është i ndikuar nga politika”,- tha një student.
“Studentët në këtë seancë të improvizuar shfaqin padrejtësitë gjyqësore dhe solidarizohen me të gjitha viktimat nga regjimi i kaluar dhe aktual”,- u shpreh një studente.
Kjo është hera e dytë që improvizohet një seancë gjyqësore në UT. Vitin e kaluar, Fakulteti juridik mori vendin e parë për seancë të improvizuar në garë me të gjitha fakultetet juridike të vendit.
VISARI SADIKI
