Shqipëri, opozita vazhdon protestën, Rama fton për dialog
Është zhvilluar mes tensionesh edhe protesta e sotme e opozitës në Shqipëri...

Është zhvilluar mes tensionesh edhe protesta e sotme e opozitës në Shqipëri. Goma të djegura, shashka e kapsolla janë hedhur në drejtim të kordonit të policisë, në të njëjtin kohë kur në kuvend mbahej seancë.
Protestuesit e udhëhequr nga kryedemokrati, Lulzim Basha, i kanë drejtuar kryeministrit thirrjen “Rama ik”. Por, këtyre thirrjeve Rama u është përgjigjur negativisht, duke i ftuar gjithsesi për dialog.
“Ata e morën pushtetin, pasi PS-ja luftoi vetveten, ata nuk kanë asnjë shans asnjëherë që të bëhen shumicë, aq më tepër sot, kur shumica është kompakte, na duhet vetëm qetësi…Ne duhet të bëjmë çdo ditë reflektimin tonë se çfarë nuk shkon dhe çfarë duhet të bëjmë më mirë. Ne jemi gjithmonë gati të flasim, dora jonë është e shtrirë, gatishmëria jonë është gjithmonë për të dialoguar për gjithçka, por nuk jemi gati që të negociojmë rregullat themelore që bëjnë ndryshimin mes këtij sistemi dhe çdo sistemi tjetër”,- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Por kryedemokrati Basha tha se Rama e ka kthyer parlamentin në karantinë krimi, ndërsa u shpreh se është nisur drejt Italisë për të negociuar azilin politik.
“Kryeministri e ka kthyer parlamentin në vendin e kolerës, ne karantine te krimit. Rama shkoi, po italianët nuk i mashtron dot. Ai po ikën të negociojë azilin politik. Ne po tentojmë t’i kthejmë lirinë shqiptarëve. Revolta ka pushtuar zemrat e mbarë shqiptarëve. Ne po tentojmë t'u kthejmë lirinë shqiptarëve dhe Rama i ka kohërat e numëruara. Bën mirë të ikë ditën, se ikja natën nuk dihet se ku përfundon, është e tmerrshme për të”,- tha kryetari i PS-së, Lulzim Basha.
Paralelisht me protestën, në kuvend u betuan 4 deputetët e rinj të opozitës, të cilët pranuan mandatin pas dorëheqjes së kolegëve të tyre.
Në fund, protestuesit iu drejtuan Komisionit qendror të zgjedhjeve, ku deputetët demokratë dorëzuan refuzimin e tyre për mandatet e ofruara nga ky komision. (Luljeta Ndoka, TVM2)
